Vendosni fjalën kyçe....

Gjermania do fillojë testimin me punën 4 ditore


Gjermania së fundmi ka nisur një provë të punës 4-ditore në javë, e cila në një periudhë gjashtë mujore do të shohë punonjësit në 45 kompani në të gjithë vendin që punojnë një ditë më pak në javë për të njëjtën pagë.

Nisma drejtohet nga konsulenca e burimeve njerëzore ‘Instraprenor’ me bazë në Berlin, së bashku me bashkëpunimin e organizatës jofitimprurëse ‘4 Day Week Global’ (4DWG).

Jan Buhren nga ‘Instraprenor’ tha për Anadolu se kriza ekonomike gjermane po sheh ndryshime në tregun e punës, gjë që e bëri të nevojshme ndjekjen e eksperimentit të punës 4-ditore në javë.

“Po shohim një ndryshim në tregun e punës, ndryshim në kërkesat e fuqisë punëtore, po shohim një lloj krize ekonomike kudo, por veçanërisht në Gjermani brenda Evropës dhe kjo kërkon mënyra të reja të të menduarit të punës”, tha Buhren.

Gjatë vitit të kaluar, Gjermania ka parë një valë të grevave të punëtorëve në sektorin publik në të gjithë vendin duke kërkuar paga më të larta dhe kushte më të mira të punës.

Mbështetësit e javës më të shkurtër të punës shpresojnë se puna katër 4-ditore në javë do t’i bëjë punëtorët më të lumtur dhe më produktiv në një kohë kur Gjermania po vuan rritjen më të ngadaltë të produktivitetit dhe mungesën e fuqisë punëtore.

“Ne jemi parë se ata (stafi) po bëhen shumë kreativ dhe gjejnë mënyra për të fleksibilizuar mënyrën e punës dhe kohën që ata kalojnë duke punuar, kështu që puna 4-ditore nuk është vetëm një punë 4-ditore, ka rreth 12 zakone të ndryshme që kemi parë deri më tani”, tha Buhren.

Produktiviteti është çështja kryesore në këtë eksperiment, pasi sipas të dhënave nga ‘Deutsche Bundesbank’, produktiviteti i Gjermanisë ka arritur një nivel historik prej 105.20 pikësh në nëntor të vitit 2017 dhe në mënyrë të vazhdueshme është ulur, megjithëse mbetet më i lartë se ekonomitë e tjera të mëdha në Evropë.

– “Kjo rritje e motivimit vërehet edhe në industritë që vuajnë nga mungesa e stafit”

Sipas mbështetësve të punës 4-ditore në javë, puna një ditë më pak në javë do të rrisë mirëqenien dhe motivimin e punëtorëve duke i bërë ata më produktiv.

Buhren theksoi se kjo rritje e motivimit vërehet edhe në industritë që vuajnë nga mungesa e aftësive dhe stafit.

“Industritë tashmë po përballen me mungesë punëtorësh. Është paradoksale të thuash ‘hej a dëshiron të punosh më pak?’. Pra, derisa këto kompani ofrojnë një mënyrë të re për t’u angazhuar me fuqinë e tyre punëtore, ajo në fakt funksionon si një nxitje, si një cilësi e punëdhënësit. Kjo është kur punëdhënësi po rrit vlerën e cilësisë së tyre dhe për këtë arsye sheh një rritje prej 300 për qind në aplikimet për punë që u dërgohen atyre”, tha Buhren.

Puna më pak orë në javë gjithashtu bind ata që nuk janë të gatshëm të punojnë një javë të plotë për të hyrë në fuqinë punëtore, në këtë mënyrë duke ndihmuar në reduktimin e mungesës aktuale të fuqisë punëtore që po prek Gjermaninë.

Në muajin nëntor të vitit të kaluar, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë (DIHK) tha se gjysma e kompanive gjermane po luftojnë për të plotësuar vendet e lira të punës. Mijëra vende pune të pa plotësuara shkaktuan një humbje prej 90 miliardë eurosh për ekonominë gjermane gjatë vitit të kaluar.

Derisa mbetet e paqartë nëse java e shkurtër e punës do ta rregullojë këtë problem në ndonjë mënyre, gjermanët duken të emocionuar për ta provuar atë.

Një sondazh nga instituti për kërkime sociale ‘Forsa’ zbuloi se 71 për qind e njerëzve që punojnë në vend do të dëshironin të kishin mundësi të punojnë vetëm katër ditë në javë. Pak më shumë se tre të katërtat e të anketuarve thanë se janë mbështetës që qeveria të eksplorojë futjen e mundshme të një pune 4-ditore në javë. Ndër punëdhënësit, më shumë se dy nga tre e mbështetën këtë.

– “Balancimi punë-jetë është arsyeja për shkurtimin e ditëve të punës”

Për shefen e shkollës së gjuhës ‘Expath’ me bazë në Berlin, Tia Robinson, balancimi punë-jetë është arsyeja në shkurtimin e javës së punës nga pesë në katër ditë.

“Shefi operativ dhe unë patëm idenë për dëshirat tona personale, si dhe për punonjësit. Ne donim të balancojmë jetën tonë më mirë, shefi operativ donte të shkruante një libër me javën e tyre 4-ditore. Pra, ne e donim atë për veten tonë, por nuk mund ta justifikonim që e bënim për veten tonë dhe nuk e bënim për punonjësit, kështu që vendosëm ta bënim për të gjithë kompaninë dhe të gjitha janë me të vërtetë të kënaqur me rezultatet”, tha Robinson.

Ajo tha se kanë matur kënaqësinë dhe mirëqenien e punonjësve, por kanë matur edhe kënaqësinë e klientit dhe efikasitetin e punës.

Tzerkis, një administrator dhe mësues në ‘Expath’, tha se jeta e tij është bërë më e kënaqshme dhe se ai ka më shumë kohë për veten e tij.

“Po bëj më shumë sport dhe më rregullisht, kam një fundjavë më të mirë, me më shumë energji dhe kohë për veten time, jam më i fokusuar në punë dhe kam më pak ditë të lodhura”, shprehet Tzerkis.

I pyetur nëse është më produktiv apo më pak, Tzerkis tha: “Veçanërisht me përgatitjet që kemi bërë, unë personalisht arrij të bëj të njëjtën sasi pune. Kjo kërkon gjithashtu ndërtimin e një sistemi që do të siguronte që puna të mund të ndahej lehtësisht dhe nuk do të varej nga koha. Por po, kam shumë më tepër kapacitet për t’u fokusuar në ditën kur jam duke punuar”.