Vendosni fjalën kyçe....

“Na dëmtoi seriozisht reputacionin” – Kreu i inteligjencës gjermane pas skandalit të spiunazhit rus


Shërbimi i inteligjencës së jashtme të Gjermanisë BND pësoi “dëmtim serioz të reputacionit” për shkak të skandalit të spiunazhit rus, tha të mërkurën shefi Bruno Kahl.

“Një spiun i brendshëms është një nga gjërat më të këqija që mund t’i ndodhë një shërbimi inteligjence,” tha Kahl në dëshminë e dhënë në gjyqin e një ish-oficeri të inteligjencës gjermane në një gjykatë në Berlin.

Ai tha se ishte një “katastrofë” për shërbimin e inteligjencës BND që një nga anëtarët e saj tradhtoi sekretet shtetërore dhe i dha informacione të fshehta inteligjencës ruse.

Pas deklaratës së tij të shkurtër, seanca u bë e mbyllur për publikun, për të mbrojtur informacionin e klasifikuar dhe të fshehtë të sigurisë kombëtare.

Ish-oficeri gjerman i inteligjencës Carsten L. u arrestua në vitin 2022 dhe u akuzua për tradhti për dhënie të informacionit sekret ndaj një agjencie të inteligjencës ruse. Bashkëpunëtori i tij, biznesmeni Arthur E. u arrestua vitin e kaluar.

Ish-oficeri i inteligjencës akuzohet se ka shtypur materiale sekrete nga kompjuteri i tij në selinë e Shërbimit Informativ Federal (BND) dhe se ua ka shitur këtë informacion të ndjeshëm rusëve.

Arthur E. u akuzua se ka vepruar si korrier dhe ua ka kaluar këtë material oficerëve të inteligjencës në Rusi. Ata dyshohet se kanë marrë rreth 400,000 euro nga Shërbimi Federal i Sigurisë Ruse (FSB).

Autoritetet gjermane kanë kryer disa hetime në vitet e fundit kundër spiunëve dhe informatorëve të dyshuar rusë, dhe kanë dëbuar dhjetëra diplomatë rusë, duke i akuzuar ata për kryerjen e veprimtarive të fshehta për të destabilizuar sistemin demokratik të vendit.

Marrëdhëniet e Gjermanisë me Rusinë janë tensionuar për shkak të luftës në Ukrainë, me Berlinin që akuzon Moskën për krime lufte, ndalimin e bashkëpunimit dypalësh dhe vendosjen e sanksioneve të ashpra ekonomike.