Shqipëria bëhet anëtare e Koalicionit Global për adresimin e Rrezikut të Drogave Sintetike, propozuar nga Sekretari i Shtetit, Blinken. Ministri i Brendshëm Taulant Balla, gjatë fjalës së mbajtur në takimin e Nivelit të Lartë të Komisionit të Drogave dhe Krimit UNODC, në Vjenë, shprehu shqetësimin se problemi i drogave përbën një kërcënim serioz për vendet e shoqëritë tona, duke ndikuar në kushtet sociale dhe ekonomike apo sigurinë publike.
“Kompleksiteti dhe shkalla e drogave të forta ka ardhur duke u rritur, duke i ekspozuar përdoruesit ndaj një numri më të madh të substancave psikoaktive. Një gamë e gjerë substancash me veti psiko-aktive, të ofruara në forma të ndryshme, përbëjnë një rrezik potencial për shëndetin, duke çuar në vdekje e helmime”, deklaroi Balla.
Ai shtoi se urgjencës për të luftuar drogat sintetike, e cila mbështetet fuqimisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke bërë thirrje për veprim të bashkërenduar nëpërmjet Koalicionit Global për të adresuar Kërcënimet e Drogave Sintetike, Shqipëria i është bashkuar si një anëtar i përkushtuar. Më tej ministri shtoi se “një përgjigje gjithëpërfshirëse kërkon rritje të investimeve në shërbimet shëndetësore, një kornizë të përshtatshme ligjore si dhe shkëmbimin e të dhënave me qëllim ndalimin e përdorimit të substancave të rrezikshme dhe ushtrimin e ndjekjes penale”.
Balla konfirmoi në panel, se qeveria shqiptare është e angazhuar në mënyrë aktive në luftën kundër trafikut të paligjshëm të drogës, përmes ndryshimeve ligjore për zgjerimin e listës së substancave të ndaluara.
“Aktualisht po rishikojmë Kodin Penal për të trajtuar veprat penale brenda Perimetrit të Sigurisë në Shkolla, duke përfshirë trafikimin dhe shpërndarjen e drogave”, -nënvizoi ministri, i cili përmendi operacionin e fundit kombëtar “Tempulli”, kundër shpërndarësve të drogave.
Në mbyllje të fjalës, Balla deklaroi masat në vijim për të luftuar këtë fenomen, që parashikojnë ngritjen e Sistemit Kombëtar të Paralajmërimit të Hershëm në vitin 2025, si dhe Observatorin Kombëtar të Drogës, në 2026, që do të veprojë si organizëm qendror përgjegjëse për mbledhjen, analizimin dhe përpunimin e të gjitha të dhënave të lidhura me drogën, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë.