Kreu i PD-së zyrtare Lulzim Basha ka ironizuar marrëveshjen PS-Rithemelim për komisionet hetimore.
Basha deklaroi se ‘për fat të keq revolucioni i shpallur me bujë i flijua për dy komisione’.
Ai shtoi se ka ardhur koha që të vihet gishti në plagë dhe se shpresa e rreme është lidershipi i rremë.
“Për fat të keq revolucioni u flijua. Revolucioni i shpallur me bujë u flijua për dy komisione hetimore, njëri prej të cileve sot u njoftua që kanë mbaruar hetimet dhe që do të komunikohen akuzat dhe që me të drejtën e ligjit dhe pritshmëritë e qytetarëve nga Ilir Beqja me shokë, do të shkojnë në burg sepse kanë vjedhur. Këta kanë rënë dakord që të ngrenë komision, ta hetojnë, të shohin çfarë shkeljesh administrative kanë bërë dhe t’i propozojnë Ramës që të ndryshojnë ligjet. Për këtë u shit revolucioni i premtuar kurbinasve dhe gjithë demokratëve shqiptarë. Ka ardhur koha të vëmë gishtin në plagë, ku ndoshta të gjithë kemi gisht në këtë plagë kush më shumë e kush më pak. Shpresa e rreme është lidership i rremë. Ku është revolucioni, ku është përmbysja e Edi Ramës? Cila është fitorja që i shet sot demokratëve të Kurbinit që i more pas vetes me premtimin se do ta rrëzoje Edi Ramën? Ku është bashkia e Kurbinit? Të gjitha kanë avulluar si iluzione, sepse nisen me një pretendim të remë.” – tha Basha.
Kreu i PD-së zyrtare shigjetoi ish-kryeministrin Berisha e kryeministrin Rama për marrëveshjen e vitit 2008 për ndryshimin e Kushtetutës.
Basha tha se marrëveshja e atëhershme u bë për mbajtjen e monopolist politik nga dyshja Berisha-Rama.
“Por diku tjetër fle lepuri, te marrëveshja famëkeqe e kushtetutës 2008-ës për të mbajtur monopolin për kandidatët për deputetë, për të kontrolluar sistemin politik siç u ka lënë trashëgimi Ramiz Alia. Edhe pse kjo në këtë formë mund të vij me një çmim shumë të lartë jo thjesht për demokratët, por për të gjithë Shqipërinë, për të gjithë Kombin me çmimin e lartë të konsolidimit të pushtetit të Edi Ramës dhe rrënimit të opozitës shqiptare. Po kaq u bën atyre që është thënë dhe me të drejtë u katapultuan pas asnjë meritë si kandidat për deputetë dhe që e kanë frikë listat e hapura, sepse kanë frikë të vijnë e të përballen me gjykimin e demokratëve, me gjykimin e qytetarëve, me votën tuaj. Frika ndaj listave të hapura i ka shtyrë drejt këtij komploti të ri ku janë prap bashkë, bashkë për t’i mbajtur listat e mbyllura, bashkë për t’i mohuar shqiptarëve barazinë e votës, bashkë për të mohuar votimin dhe numërimin elektronik që iu heq instrumentet e manipulimeve të tjera zgjedhore, bashkë për t’i mohuar votën diasporës që duan ta degdisin ose në dyert e ambasadave, ose me postë, të Postës Shqiptare, të folesë dhe çerdhes së pushtetit, në fakt ta themi troç, të çdo pushteti.” – shtoi Basha.