Me Alexei Navalny-n të vdekur dhe të varrosur në Moskë dhe me politikanë të tjerë anti-Kremlin në mërgim ose të burgosur, opozita e Rusisë është në nivelin më të ulët. Por të dielën, ndërsa rusët shkojnë në qendrat e votimit, kundërshtarët e presidentit Vladimir Putin do organizojnë një protestë simbolike që shpresojnë se do ketë jehonë.
Në një aksion që ata e quajnë “Në mesditë kundër Putinit”, mbështetësit e Navalny-t u kërkojnë rusëve që kundërshtojnë kreun veteran të Kremlinit që të shkojnë në qendrën e tyre lokale të votimit pikërisht në mesditë, të qëndrojnë në radhë për një fletëvotim dhe më pas të votojnë në një mënyrë që shpreh një formë proteste ose ndërlikon punën e autoriteteve.
Sugjerimet përfshijnë prishjen e fletës së votimit, shkrimin “Alexei Navalny” në fletën e votimit, apo edhe votën për një nga tre kandidatët që janë kundër Putinit, megjithëse opozita i konsideron ata si “kukulla” të Kremlinit, në një përpjekje për të zvogëluar votat për Putinin.
Navalny miratoi planin përpara se të vdiste në një mesazh në mediat sociale të ndihmuar nga avokatët e tij. Gazeta e pavarur Novaya Gazeta e quan aksionin e planifikuar “testamenti politik i Navalny-t”.
As kritiku më i ashpër i Kremlinit nuk beson se veprimi – të cilin autoritetet tashmë e kanë bërë të qartë se e konsiderojnë të paligjshëm – do bëjë gjë për të ndryshuar faktin se Putini është i sigurt se do shpallet fitues i zgjedhjeve presidenciale të 15-17 marsit me rezultat dërrmues.
Me të gjitha levat e pushtetit në kontroll, me mediat shtetërore në dorë dhe me një fushatë të ngritur rreth fitores në luftën në Ukrainë dhe modernizimit të infrastrukturës ruse, Kremlini thotë se Putin gëzon mbështetje dërrmuese të publikut. Vlerësimi i miratimit të Putinit është 86%, sipas Levada Center, anketuesit më të njohur të vendit.
Por ideja e protestës së së dielës, thonë ata që e mbështesin atë, është të rritet morali kolektiv pas vdekjes së Navalny-t në një burg në Arktik muajin e kaluar, për t’u treguar rusëve që kundërshtojnë Putinin se nuk janë vetëm dhe për t’i treguar botës se jo të gjithë rusët e mbështesin Putinin.
“Putini do tregojë 80 ose 90% qëdo marrë, por do të jetë e mundur t’u shpjegojmë në gjuhë shumë të thjeshtë kujtdo në botë. Shikoni fotografitë, shikoni sa njerëz u mblodhën në mesditë, pavarësisht nga të gjitha kërcënimet dhe shtypjet, për të treguar se janë kundër Putinit. Pra, është një veprim shumë i rëndësishëm,” u tha mbështetësve këtë muaj Ivan Zhdanov, një aleat i Navalny-t.
Paralajmërimet
Megjithatë, pjesëmarrja mbart disa rreziqe. Autoritetet, të cilët i shohin mbështetësit e Navalny-t si ekstremistë të mbështetur nga SHBA-ja, që synojnë të destabilizojnë Rusinë dhe të prishin zgjedhjet, tashmë kanë filluar të dërgojnë letra paralajmëruese dhe kanë bllokuar faqen zyrtare të aksionit të protestës brenda Rusisë.
Kremlini e ka bërë të qartë se i konsideron çdo thirrje për veprim nga aleatët e Navalny-t – të cilët janë të vendosur jashtë Rusisë – si provokuese dhe thotë se policia do godasë çdo sjellje të paligjshme.
Maria Andreeva, bashkëshorti i i së cilës ka luftuar në Ukrainë dhe i është bashkuar protestave me gra të tjera ushtarake duke kërkuar çmobilizimin e burrave të tyre, postoi një letër paralajmëruese që kishte marrë nga një prokuror i Moskës dërguar më 13 mars.
Në letër thuhej se prokuroria e shihte veprimin e saj si një shenjë se ajo po përgatitej të merrte pjesë në atë që e quajti një ngjarje publike të paligjshme, që “kishte shenja të aktivitetit ekstremist”.
Andreeva, thoshte letra, mund të përballet me pasojat e plota të ligjit nëse nuk ishte ishte e kujdesshme.
Përgjigja e Andreeva në llogarinë e saj në Telegram ishte sfiduese: “Kam të drejtën të paraqitem kur të dua dhe të votoj për kë të dua”.
Rreziku tjetër për opozitën është që pjesëmarrja të zhgënjejë dhe besueshmëria e saj të dëmtohet. Me masën e madhe tokësore të Rusisë që shtrihet në 11 zona kohore, votuesit e protestës do shpërndahen, në vend që të përqendrohen në një masë të vetme.
Disa kompani shtetërore kanë këshilluar punonjësit të votojnë të premten në vend të të dielës, dhe autoritetet në disa rajone po organizojnë ngjarje argëtuese që të përkojnë me protestën e mesditës në një përpjekje të dukshme për të tërhequr njerëzit larg saj.
Mikhail Khodorkovsky, një manjat në mërgim dhe kritik i Putinit, tha këtë javë se, edhe nëse nuk arrinte asgjë tjetër, mesazhi i protestës do vihej re nga dhjetëra mijëra zyrtarë zgjedhorë të përfshirë në numërimin e votave.
“Askush nuk pret që ky të jetë fillimi i revolucionit,” tha në një intervistë Vladimir Ashurkov, një ndihmës i Navalny-t me bazë në Londër.
Andrei Kolesnikov, një bashkëpunëtor i lartë në ‘Qendrën Carnegie Russia-Eurasia’, tha se Putini do arrintë fitore dërrmuese pa marrë parasysh protestës.
“Asnjë votim në orën 12 të mesditës nuk mund të lëkundë legjitimimin e Putinit nga shumica pasive e varur nga shteti ekonomikisht dhe politikisht”, tha ai.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Reuters