Ditën e sotme, Bloomberg publikoi një shkrim (lexo këtu) në të cilin bënte të ditur se Jared Kushner (dhëndri i Trumpit) ka në plan të investojë për një resort turistik multimiliardësh në ishullin e Sazanit dhe është në negociata me qeverinë shqiptare të drejtuar nga Edi Rama.
Në këtë artikull, citohej Jared Kushner i cili fliste mbi projektin, e shpjegonte se një fondi ishte i interesuar ku përfshihej vetë ai, qeveria saudite dhe disa aksionarë të tjerë.
Madje Kushner dekonspiroi se kush ishte “ndërmjetësi” i tij me qeverinë e Edi Ramën, që ishte vetë i dërguari i posaçëm i ish-Presidentit Trump në Ballkanin Perëndimor, Richard Grenell.
Por pse u pa e nevojshme nga Kushner publikimi i projektit ditën e sotme dhe pse kaq detaje pikërisht sot?
Publikimi në Bloomberg i shkrimit është bërë për të djegur një shkrim të New York Times i cili u publikua sot (lexo këtu), në formë hulumtimi, ku “bëhet pis” Jared Kushner, Richard Grenell dhe qeveria Rama.
Dalja ne Bloomberg disa orë më herët, goditi elementin e befasisë dhe një projekt që në NYT prezantohet si investim lobimi konspirativ i familjes Trump i cili garon sërish për President, u amortizua si një nismë krejt transparente biznesi nga Bloomberg.
Shkrimi hulumtues i NYT përpiqet të godasë Trumpin dhe të kthejë investimet e dhëndrit të tij në Ballkan në kauzë para fushatës.
Duket se Kushner me operacionin e shkëlqyer mediatik në Bloomberg eliminoi synimin e shkrimit të NYT.
Gjithashtu bie në sy që ndërmjetësi i investimit të mundshëm në Tiranë është Richard Grenell, i njohur në Shqipëri si një urë lidhëse e opozitës me Republikanët përtej Atlantikut.
Në shkrim del se lidhja e opozitës shqiptare është personi që po ndërmjetëson një operacion turistik lobimi me kryeministrin socialist, Rama./ Hashtag.al