Ka nisur puna për zbatimin e programit “Infrastruktura Bashkiake V”, një program i financuar nga Qeveria Gjermane, nëpërmjet KfW, Qeveria Zviceriane nëpërmjet SECO, Bashkimi Europian nëpërmjet WBIF dhe IPA si dhe Qeveria Shqiptare.
Ky program parashikon investime të rëndësishme për përmirësimin e sistemit të ujësjellës – kanalizimeve në disa prej qyteteve kryesore të vendit.
Shkodra, Lezha, Elbasani, Fieri, Berati dhe Vlora janë qytetet të cilat përfitojnë nga ky program, ndërsa pjesë e tij janë edhe ndërtimi i impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura për qytetin e Beratit dhe Shkodrës, si dhe përmirësimi i nivelit të trajtimit të ujërave të ndotur në qytetin e Lezhës.
Ceremonia e nisjes së këtij projekti u zhvillua në stacionin e pompimit në Kafaraj të Fierit dhe në të morën pjesë Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ambasadori i BE (emri), ambasadori i Gjermanisë (emri), ambasadorja e Zvicrës (emri) si dhe të zgjedhur vendorë.
Zëvendëskryeministrja Balluku, gjatë fjalës së saj solli në vëmendje hapat që Qeveria Shqiptare ka ndërmarrë për përmirësimin e situatës në këtë sektor. Balluku tha se përmes reformës së thellë treguesit kanë nisur të përmirësohen, janë rritur arkëtimet, po punohet gjithashtu për mbledhjen e debiteve të mbartura ndër vite, por edhe ngritjen e një stafi sa më efiçent.
Aktualisht, u shpreh Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, janë 33 zona urbane dhe 98 zona rurale në të gjithë vendin të cilët furnizohen me ujë të pijshëm me cilësi të lartë 24 orë. Ndërkohë përmes investimeve, numri i tyre do të rritet në fund të këtij viti.
“Me buxhetin 2024 dhe të gjithë paketat e tjera të programeve ne parashikojmë që të shtohen në listën e zonave që përfitojnë ujë të pijshëm të cilësisë së lartë, 24 orë edhe 13 zona urbane duke e çuar numrin në 46 të zonave urbane, dhe 45 zona rurale duke e çuar numrin në 143 zona rurale të shërbyera 24 orë me ujë, 9 prej të cilave janë zona turistike”, tha Balluku.
Pavarësisht vështirësive me të cilat sektori po përballet, Balluku tha se edhe falë mbështetjes së partnerëve do të ketë një ndryshim të situatës.
“Jemi optimistë që me të gjithë vështirësitë e mëdha që sektori paraqet, me të gjithë trashëgiminë që kemi gjetur në këtë sektor, duke nisur nga teknologjia shumë e vjetër, amortizimi i sistemeve apo problematika të tjera të burimeve njerëzore, por duke pasur parasysh të gjithë ndryshimin që ka ardhur vitet e fundit, duke pasur parasysh vëmendjen që Qeveria ka në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve, duke pasur parasysh mundësitë që ne kemi me ekspertët dhe të gjithë kapacitetet njerëzore të AKUK, por edhe dëshirën e mirë nga kryetarët e bashkive për të kontribuar në një nga proceset dhe në një nga sektorët më të rëndësishëm për qytetarët, ne jemi të bindur që me mbështetjen e partnerëve tanë dhe këtu nuk është asnjëherë gabim që të rifalënderoj Qeverinë Gjermane, të rifalënderoj Qeverinë Zvicerane dhe të gjithë institucionet me të cilët përfaqësohen këtu, punën e mirë të ambasadorëve dhe mbi të gjitha Bashkimin Europian, Komisionin Europian për të gjithë mbështetjen që po i jep Shqipërisë në këto momente përmes programeve të WBIF dhe sigurisht edhe IPA, ne jemi të bindur që suksesi është i garantuar”, nënvizoi Balluku.
Në përfundim të investimeve të programit “Infrastruktura Bashkiake V” në të gjitha qytetet do të përfitohen rreth 266 kilometra rrjet i ri ujësjellësi, 17.4 kilometra rrjet i ri kanalizimesh, 14 mijë lidhje të reja dhe rehabilitim i lidhjeve ekzistuese konsumatorësh dhe rreth 13 mijë matësa të rinj të instaluar. Investimet do ti shërbejnë me rrjet të ri ujësjellësi një popullsie prej rreth 470 mijë banorë dhe rreth 88 mijë banorë me rrjet kanalizimesh të përmirësuar.