Vendosni fjalën kyçe....

Basha e ka me Bardhin: Disa vulëhumbur që u katapultuan në politikë pa asnjë kontribut


Kreu i PD-së zyrtare Lulzim Basha nuk harroi të shigjetonte edhe ish-sekretarin e Përgjithshëm të PD-së së tij, Gazment Bardhin, tashmë nënkryetarin i Rithemelimit.

Gjatë fjalës së tij në zgjedhjet në Kuvendin Zgjedhor në degën 13 të Tiranës, ai e quajti atë një vulëhumbur që ka ardhur e do ikë nga politika, i katapultuar dhe pa asnjë ditë kontribut.

“Pazari i fundit, është padiskutim një pazar i pastër për interesat në radhë të parë dhe mbi të gjitha të Edi Ramës, interesat e Sali Berishës dhe interesat e disa vulëhumburve që siç erdhën ashtu po ikin të katapultuar në politikë pa asnjë farë kontributi dhe që u janë ngjitur sytë, veshët, stomaku dhe të prapmet pas karrigeve që kanë qëllim të vetëm të ruajnë këto karrige duke sakrifikuar aspiratën e demokratëve dhe të shqiptarëve për rotacion.” – shtoi Basha.

Ai ironizoi Rithemelimin duke thënë se e shiti revolucionin e nisur për dy komisione nga tetë që kërkoi.

“Pesë muaj i ashtëquajturi revolucion, çfarë prodhoi? Prodhoi që Edi Rama të kalojë ça i desh qejfi. Nga buxheti, te aktet korruptive, te heqja e parave për pronarët, tek investimet strategjike pa asnjë kritikë opozitare, pa u dëgjuar zëri i opozitës në Parlament. Se në vend që të flisnin, i binin bilbilave. Për çfarë i ranë bilbilave? Që nga 8 të merrnin 2 komisione. Dhe këto 2 komisione, objekti është të shikojnë masat administrative dhe të përmirësojnë ligjet që mos të vjedhë Edi Rama. Sepse Edi Rama dhe Ilir Beqja vjedhin se janë ligjet e këqija. Këtu u katandis revolucioni, nga 8 në 2. Dhe nga këta të dy, njëri siç e keni parë dhe dëgjuar SPAK-u të hënën komunikon akuzat dhe po bëhet gati të çojë në burg të pandehurit. Për këtë pra u shit revolucioni. Asgjë. Madje më keq se asgjë, minus, sepse ligji për komisionet hetimore ka ndryshuar në mënyrë të njëanshme nga Edi Rama duke e bërë edhe më të vështirë, deri në kufijtë e pamundësisë transparencën.” – shtoi Basha.