Vendosni fjalën kyçe....

Libri autobiografik/ Papa Françesku rrëfen si desh ngeli pa u bërë prift për shkak të një vajze


Papa Françesku ka treguar se si ai ishte aq “i verbuar” nga një vajzë kur ishte i ri, saqë kishte shumë vështirësi për t’u lutur dhe pothuajse hoqi dorë nga planet e tij për t’u bërë prift, shkruan Daily Mail.

Dëshira e tij për të renë mund ta kishte privuar Kishën Katolike Romake nga udhëheqësi i saj i parë nga Amerika.

Ai e bën këtë pretendim në autobiografinë e tij të re, të titulluar “Life: My Story Through History”, e cila do publikohet javën e ardhshme.

Argjentinasi i kushton gjithashtu një kapitull të tërë bashkatdhetarit të tij Diego Maradona, goli famëkeq i të cilit “dora e zotit” kundër Anglisë në çerekfinale e ndihmoi ekipin e tij që të shpallej kampion bote në vitin 1986.

87-vjeçari i apasionuar pas futbollit tregon se si vite pasi ndodhi, ai e pyeti yllin që po vizitonte Vatikanin: “Pra, cila është dora fajtore?”.

Diku tjetër në libër ai rrëfën se fillimisht u takua me vajzën nga e cila do magjepsej në dasmën e xhaxhait të tij.

Ai shkruan se ajo ishte “aq e bukur dhe inteligjente” sa e mahniti.

Kur katoliku i devotshëm, i cili tashmë po studionte për t’u bërë prift, u përpoq të lutej për javën e ardhshme, ai e gjeti veten të paaftë, pasi pamja e vajzës po vërtitej rreth kokës së tij, shkruan Daily Mail.

Por ai shkruan se “për fat” ia doli dhe më pas mundi t’i kushtonte shpirtin dhe trupin punës së tij.

Udhëheqësi i fesë së fuqishme zbuloi më parë pasionin e tij adoleshent në një intervistë në vitin 2012, ku tha se ishte “mbytur” nga bukuria dhe inteligjenca e saj.

Pas dasmës, ai u kthye në studimet e tij priftërore, por pranoi: “Vijova të mendoja e të mendoja për të. Kur u ktheva në seminar pas dasmës, nuk munda të falesha për më shumë se një javë, sepse kur u përpoqa ta bëja këtë, vajza shfaqej në kokën time.

Më duhej të rimendoja atë që po bëja. Isha ende i lirë sepse isha seminarist, kështu që mund të kthehesha në shtëpi dhe kaq. Më duhej të mendoja përsëri për zgjedhjen time. Zgjodha sërish, ose më saktë e lashë veten të zgjidhej nga rriga fetare.”

Megjithatë, pavarësisht romancës së tij rinore, Papa mbetet i bindur për vlerën e beqarisë së detyrueshme për priftërinjtë katolikë.

Ai në të kaluarën kishte propozuar rishikimin e praktikës mijëravjeçare të beqarisë, duke argumentuar se ndalimi ishte vetëm “i përkohshëm” dhe gjithashtu nuk kishte “asnjë kontradiktë” që një prift të martohej.

Beqaria u bë një kërkesë nga Kisha Katolike në shekullin e 11-të për arsye financiare, pasi klerikët pa fëmijë kishin më shumë gjasa t’ia linin pasurinë kishës.

Por pavarësisht thirrjeve për reforma, Papa ka ruajtur praktikën e mbajtur prej kohësh.

Kujtimet, të cilat janë shkruar me gazetarin italian Fabio Marchese Ragona, i mundëson Françeskut të gjurmojë momentet kyçe të jetës së tij, duke përfshirë Luftën e Dytë Botërore, diktaturën ushtarake të Argjentinës, Luftën e Ftohtë dhe sulmet e 11 shtatorit.