Vendosni fjalën kyçe....

Meta: Ka përpjekje për të nxitur konflikte artificiale që kthejnë idetë shkatërrimtare të ndryshimit të kufijve në Ballkan


Sot paradite në Forumin XI Global të Bakusë, mori pjesë në panelin “Perspektivat rajonale: Bashkimi Europian dhe fqinjët” edhe Kryetari i Partisë të Lirisë, Ilir Meta. Në fjalën e mbajtur në këtë panel me personalitete të shquara, që moderohej nga ish-Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, Kryetari Meta ndër të tjera theksoi reformat e thella për sundimin e ligjit, mbrojtja e lirive dhe të drejtave të njeriut, si dhe lufta e vazhdueshme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë të një rëndësie madhore.

Mes të tjerash Meta shtoi se ka përpjekje për të nxitur konflikte artificiale që minojnë arritjet e deritanishme në rrugën e integrimit dhe kthejnë idetë shkatërrimtare të ndryshimit të kufijve në Ballkan.

“Ne duhet të pranojmë se rregullimi i botës së frakturuar kërkon veprim kolektiv dhe solidaritet në shkallë globale. Asnjë komb apo komunitet i vetëm nuk mund t’i trajtojë këto sfida i vetëm. Kjo nënkupton forcimin e institucioneve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, nxitjen e bashkëpunimit dhe dialogut ndërmjet kombeve dhe mbështetjen e nismave që promovojnë paqen, drejtësinë dhe qëndrueshmërinë.

Perspektivat Rajonale: BE-ja dhe fqinjët e saj

Marrëdhënia midis Bashkimit Evropian dhe fqinjëve të tij është komplekse dhe e shumëanshme, e ndikuar nga faktorë historikë, kulturorë, ekonomikë dhe politikë. Ballkani është një rajon me një trashëgimi të pasur kulturore dhe një histori të trazuar dhe ka qenë prej kohësh në udhëkryqin e qytetërimeve, duke shërbyer si një urë lidhëse midis Lindjes dhe Perëndimit. 

Gjatë historisë sonë, rajoni ynë është dëmtuar nga luftëra, konflikte dhe destabilitet. Ajo që ka rëndësi vendimtare është fakti se për të gjitha vendet tona, Bashkimi Evropian paraqet një mundësi për një të ardhme më të qëndrueshme, më të begatë dhe të integruar, më shumë shpresë dhe mundësi. 

Të mos harrojmë se Ballkani ka qenë “thembra e Akilit” për Europën në kohë tensionesh gjeopolitike. Ndaj edhe sot ka përpjekje për të nxitur konflikte artificiale që minojnë arritjet e deritanishme në rrugën e integrimit dhe kthejnë idetë shkatërrimtare të ndryshimit të kufijve. Ndaj edhe BE duhet të jetë më e vendosur për të shpejtuar zgjerimin me gjithë vendet e rajonit por pa lejuar askënd të sillet si një proxi e fuqive luftënxitëse.

Ndaj rivitalizimi i Procesit të Berlinit duhet të intensifikohet, ndërsa nismat përçarëse si “Ballkani i Hapur” kanë dështuar. Anëtarësimi ynë në BE do të thotë më shumë rritje ekonomike, më shumë stabilitet politik, bashkëpunim më të madh me shtetet fqinje, si dhe akses në tregun më të madh të vetëm në botë, financim dhe mbështetje jetike për zhvillimin e infrastrukturës, mbrojtjen e mjedisit dhe kohezionin social. 

Jemi të vetëdijshëm se rruga jonë drejt anëtarësimit në BE nuk është pa sfida. Reformat e thella për sundimin e ligjit, forcimit të qeverisjes dhe respektimit të të drejtave të njeriut janë të një rëndësie të madhe për të ardhmen tonë, ashtu siç është lufta e vazhdueshme kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe migracionit.

Vetëm duke adresuar këto çështje dhe probleme me të cilat përballemi në vendet tona, mund të shpresojmë të përparojmë në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Por ne duhet të punojmë ngushtë me BE-në për të adresuar sfidat tona të përbashkëta, për të zbatuar reformat tona dhe për të përmirësuar jetën e qytetarëve tanë, sepse siç e dimë të gjithë e ardhmja jonë është në Bashkimin Evropian, u shpreh Meta.