Edi Rama ka mbajtur një qëndrim interesant sot në mbledhjen e asamblesë së partisë që drejton, kur ceku problemin e një marrëveshje ne parim që u zbulua në “Bloomberg” mes qeverisë së tij dhe Jared Kushner, dhëndrit të Donald Trump. Marrëveshja parashikon dhënien e të drejtave ekskluzive për ndërtim resortesh në ishullin e Sazanit dhe plazhin e Zvërnecit.
Zoti Rama foli për “gojështhurur” që sipas tij hedhin baltë mbi një investitor të painteresuar për politikën si dhëndri i Donald Trump, ndërsa autoironizoi veten si “dikush që ka dalë nga kuleta e Sorosit”.
U shpreh Rama në asamble:
“Këto ditë, Kushner, një sipërmarrës, amerikan dhe dhëndri i ish-presidenti Trump shpalli publikisht ambicien për të investuar në dy projekte të mëdha turistike në Shqipëri. Po ata, që deri dje na tregonin Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut si shembuj të paarritshëm për investime në turizëm dhe për investime të huaja direkte, sot flasim për rrezikun që i kanoset Sazanit nga kthimin në një xhevahir të kurorës së artë të turizmit në Mesdhe.
Delirojnë për rrezikun e shkatërrimit të një parku kombëtar imagjinar, të një zone të mbrojtur që e mbrojtur nuk ka qenë kurrë përveç se e ushtarëve të Enver Hoxhës që vëzhgonin me dylbi zbarkimin e flotës së 7 amerikane në Shqipëri dhe zbulojnë se si doli në dritë arsyeja e errët për ndryshimin e ligjit për zonat e mbrojtura. Hija e ish-presidentit amerikan i pengon ata më gojështhururit t’u bashkëngjiten këtyre zërave për mua, djali i paudhë që doli nga thesi i parave të Sorosit, me djalin për shpirt të armikut më të betuar të Sorosit.”
Ky qëndrim kryeministrit mbi “delirantë dhe gojështhurur” duket i pakuptimtë, duke qenë se brenda territorit të Republikës së Shqipërisë askush nuk duket se e ka kritikuar kryeministrin për këtë lajm të bërë publik në mediat ndërkombëtare.
Të paktën opozita është totalisht e heshtur, sepse është e kompleksuar nga fakti që ndërmjetës i kësaj marrëveshje është Richard Grenell, një biçim shartese bizneso-diplomatike që mban me shpresë Foltoren dhe Berishën se nëse një ditë Trumpi vjen në pushtet, atëherë Grenell do ja heqë non-grata-n.
Por opozita është e kompleksuar dhe nga familja “Kastrati” e cila është konstatuar si palë e interesuar në proces nga një artikull i New York Times.
I vetmi që rezulton se e ka shqetësuar kryeministrin është një editorial i Andi Bushatit në Lapsi.al, apo dhe një qëndrim i Jorida Tabakut për “suprimimin e ligjit për zonat e mbrojtura”, por këto janë krejtësisht qëndrime në parim, që nuk paragjykonin asnjë palë biznesi, por flisnin në parim në mbrojtje të interesit publik.
Por ndonëse në asanmble Rama ka hedhur rromuze për faktorë vendas, e vërteta është se ai ka shqetësim vetëm për faktorët e jashtëm.
Rama i druhet një skenari në SHBA ku kundërshtarët e Trumpit, në prag zgjedhjesh mund të thellojnë hetimet mbi kontaktet e marrëdhënies së tij ose biznesmenëve pranë tij me Richard Grenell dhe Jared Kushner.
Rama dhe pala shqiptare e biznesit nuk janë shënjestër e kundërshtarëve të Trumpit, por ata e dinë se sa u vlen lëkura nëse atje tej në Washington vendosin që t’i sakrifikojnë për të goditur Trumpin.
Ky është shqetësimi i vetëm që kryeministri shqiptar ka në lidhje me këtë çështje, e duhet thënë që është shqetësim legjitim.
Rama është në të drejtën e vet të blejë influencë sa të mundet në SHBA, ndërsa e di se kundërshtarët e Trumpit janë vigjilent në diktimin e çdo hapi të Trumpit dhe familjes së tij për trafik influence.
Ndaj dhe fjalimi i sotshëm i kryeministrit ngjason pak me ato pleniumet e shokut Enver, i cili kur kishte probleme të brendshme akuzonte armikun e jashtëm, e kur kishte probleme nga jashtë, akuzonte agjitacionin vendas. / Hashtag.al