Vendosni fjalën kyçe....

Turqia përfshihet në marrëveshjen për pastrimin e Detit të Zi nga minat


Turqia është bashkuar me Bullgarinë dhe Rumaninë për të pastruar Detin e Zi nga minat, gjë që do ta bënte më të lehtë eksportin e drithërave ukrainase drejt tregjeve botërore. Turqia po u reziston thirrjeve për të lejuar futjen e anijeve të NATO-s për pastrimin e minave duke cituar një marrëveshje ndërkombëtare. Sipas Konventës Montreux të vitit 1936, qasja në Detin e Zi bëhet vetëm përmes ngushticës së Bosforit në Stamboll.

Turqia, Bullgaria dhe Rumania nënshkruan në janar një marrëveshje për pastrimin e Detit të Zi nga minat e luftës në Ukrainë.

Por aksidentet e anijeve të mallrave në minat detare po nxjerrin në pah kërcënimet në rritje për një prej rrugëve më të rëndësishme detare për eksportin e drithërave dhe energjisë.

Tayfun Ozberk, ish-oficer i marinës turke që tani punon si analist për çështjet e mbrojtjes, tregon për Zërin e Amerikës se pse ndodhin aksidentet me anijet e transportit.

“Anijet tregtare nuk kanë pajisje për të zbuluar minat nga distanca. Minat janë gjysmë të zhytura në ujë, dhe kur shihen nga anijet është tepër vonë”.

Analistët thonë se eliminimi i kërcënimeve nga minat do të ishte një nxitje e rëndësishme e përpjekjeve të Ukrainës për eksportimin e drithërave drejt tregjeve botërore pas prishjes së marrëveshjes me Rusinë e cila ishte ndërmjetësuar nga Turqia dhe Kombet e Bashkuara.

Analistët thonë se Rusia po i kërcënon eksportet ukrainase duke thënë se nuk mund të garantojë sigurinë e anijeve.

Por nga ana tjetër, Ankaraja shpreson se rritja e sigurisë për anijet ukrainase mund të shërbejë si shtysë që Moska të rikthehet tek marrëveshja për eksportin e drithërave.

Mesut Casin me Universitetin Yeditepe të Stambollit thotë se pastrimi i minave është çelësi

“Shpresoj se do të jetë shumë e dobishme për palën ukrainase për eksportin e drithërave të tyre. Rusia u tërhoq nga marrëveshja dhe ndoshta mund të kthehet përsëri në tryezën e bisedimeve”, thotë ai.

Marina turke ka aftësi moderne për pastrimin e minave dhe gëzon mbështetjen e Rumanisë dhe Bullgarisë, por vëzhguesit paralajmërojnë se aleatët e NATO-s përballen me sfida të konsiderueshme.

“Nuk dihet sasia dhe vendndodhja e minave detare. Operacionet e kërkimit, gjetjes dhe shkatërrimit të minave do të marrin shumë kohë”, thotë Tayfun Ozberk, analist për çështjet e mbrojtjes detare.

Britania ka ofruar dislokimin e anijeve për pastrimin rrugëve detare nga minat, por Turqia ka bllokuar hyrjen e të gjitha anijeve luftarake që nga fillimi i luftës në Ukrainë duke cituar Konventen ndërkombëtare Montreux.

Në fillim të luftës, në shkurt 2022, Turqia riaktivizoi Konventën Montreux të vitit 1936, për të bllokuar kalimin e anijeve ruse ose ukrainase nëpër ngushticat e Bosforit dhe Dardaneleve. Turqia u tha gjithashtu shteteve që nuk i përkasin Detit të Zi që të mos dërgonin anije luftarake.

Sipas Konventës Montreux të vitit 1936, qasja në Detin e Zi bëhet vetëm përmes ngushticës së Bosforit në Stamboll. Konventa, që vihet në zbatim nga Turqia, kufizon anijet detare nga vendet që nuk i përkasin Detit të Zi, të transportojnë një maksimum ngarkese prej 10,000 tonësh për anije, për vetëm 21 ditë.

Si vend anëtar i NATO-s, Turqia po balancon marrëdhëniet e saj me Perëndimin si edhe me Rusinë e Ukrainën në një përpjekje për t’i dhënë fund konfliktit.

Analistët thonë se eliminimi i rrezikut të minave nga rrugët detare në Detin e Zi do të ishte një hap i vogël drejt këtij qëllimi./VOA