Presidenti egjiptian Abdel-Fattah al-Sisi tha të dielën se vendi i tij nuk do lejojë zhvendosjen e detyruar të palestinezëve nga Rripi i Gazës.
Sisi zhvilloi bisedime me Presidenten e Komisionit të Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen, në margjinat e një samiti egjipto-evropian në Kajro.
“Egjipti kundërshton zhvendosjen e detyruar të palestinezëve në tokat e tij dhe nuk do e lejojë atë,” tha kreu egjiptian siç citohet nga një deklaratë presidenciale.
Sisi nënvizoi gjithashtu nevojën për një armëpushim në Rripin e Gazës.
Bisedimet mes dy palëve u ndalën në bashkëpunimin dypalësh mes Egjiptit dhe BE-së si dhe zhvillimet rajonale, thuhet në deklaratë.
Egjipti dhe BE-ja do ripërtërijnë marrëdhëniet drejt një “partneriteti gjithëpërfshirës strategjik” të dielën mes raporteve se blloku evropian do t’i sigurojë Kajros një paketë financimi prej 7.4 miliardë eurosh në vitet 2024-2027 për stabilizimin e ekonomisë së saj.
Egjipti ka qenë nën presion ekonomik për shkak të luftës së vazhdueshme izraelite në Rripin e Gazës, e cila ndikoi në të ardhurat e vendit nga turizmi dhe transporti detar përmes Kanalit të Suezit.