Vendosni fjalën kyçe....

Inceneratori i Elbasanit, tenderi për parametrat mjedisorë përfundon për herë të tretë në KPP


Kompania publike ECO Elb e cila ka nën zotërim Inceneratorin e Elbasanit nuk po arrin dot të finalizojë prej vitit të shkuar një procedurë që lidhet me monitorimin e parametrave mjedisore të landfillit.

Tenderi i rihapur për herë të tretë në sistemin e Agjencisë së Prokurimit Publik në datë 9 shkurt 2024 dhe me parashikimin për tu mbyllur në datë 20 shkurt ka përfunduar sërish në Komisionin e Prokurimit Publik në datë 13 mars.

Sipas të dhënave të bëra publike në faqen e KPP duket se kundërshtimi lidhet me vlerësimin që është bërë nga ana e komisionit të vlerësimit të ofertave për procedurën që ka një fond limit prej 3 milionë lekë.

Më herët KPP rrëzoi procedurën e hapur nga ECO Elb nën argumentin se dokumentet e tenderit ishin në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi për prokurimin publik.

“Komisioni i Prokurimit Publik thekson, se kriteret e veçanta për kualifikim, specifikimet teknike nga autoriteti kontraktor duhet të përcaktohen të qarta, të sakta dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi, me qëllim që të kryhet një vlerësim i drejtë dhe jodiskriminues, duke mos penguar pjesëmarrjen në një procedurë prokurimi, si dhe t’i japin mundësi ofertuesve të përcaktojnë objektin e kontratës” do nënvizonte Komisioni.

E njëjta procedurë shfaqi probleme edhe në fazën e parë kur Eco Elb njoftoi dy procedura në sistemin e Agjencisë së Prokurimit Publik të cilat pasi kaluan disa hallka dhe u ankimuan në KPP ku ky i fundit i riktheu për rishpallje duke argumentuar se ECO Elb nuk kishte respektuar detyrimet që lidheshin me respektimin e hallkave të ankimimit.

Eco Elb është kompani e krijuar në 18.11.2021 dhe ka në objekt të aktivitetit “Grumbullimi, rehabilitimi dhe përpunimi i mbetjeve të ndryshme, organike, të ngurta, të gjelbërta,..etj, në territorin administrativ të të gjithë bashkive të Qarkut Elbasan. Trajtimi i mbetjeve me djegie (incenerator). Prodhimi dhe shitja e energjisë elektrike.

Aktivitete të tjera në fushën e përpunimit të mbetjeve, që lejon ligji, për interesat e shoqërisë dhe të komunitetit”. Aksionerë të saj janë Bashkia Cërrik me 8 për qind, Gramsh me 8 për qind. Elbasan 52 për qind, Peqin 8 për qind, Belsh 8 për qind, Librazhd 8 për qind./N.Maho

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor