Vendosni fjalën kyçe....

India vendos 10,000 ushtarë në kufirin e diskutueshëm më Kinën


Vendosja e 10,000 ushtarëve të Indisë në kufirin me Kinën në shtetet në zonën e Himalajeve, Himachal Pradesh dhe Uttarakhand, tregon se marrëdhëniet kufitare midis dy gjigantëve të armatosur bërthamore janë duke u përkeqësuar dhe nuk ka gjasa të përmirësohen së shpejti, thonë ekspertët strategjikë.

“Nuk ka absolutisht asnjë besim mes palëve. Indianët nuk mund t’u besojnë kinezëve,” tha Namrata Hasija, një studiuese e Qendrës për Analizën dhe Strategjinë e Kinës me qendër në Nju Delhi, për The Epoch Times.

“Ne duhet ta shohim këtë në një këndvështrim më të gjerë, se marrëdhënia nuk është përmirësuar. Nuk shoh ndonjë shenjë se do përmirësohet në të ardhmen e afërt.”

10,000 ushtarët janë duke u zhvendosur nga kufiri perëndimor i Indisë me Pakistanin. Vendosja e tyre përgjatë 331 miljeve të kufirit ‘të fjetur’, por të diskutueshëm, u njoftua nga Bloomberg, që më 7 mars, citoi një burim anonim të qeverisë indiane.

Ndërkohë, qeveria kineze shprehu pakënaqësi teksa konfirmoi zhvillimin, duke e quajtur lëvizjen “kundërproduktive”.

“Lëvizja e Indisë për forcimin e pranisë ushtarake përgjatë kufirit me Kinën është kundërproduktive ndaj përpjekjeve të dy vendeve për të lehtësuar gjendjen në kufi dhe nuk ndihmon për të ruajtur paqen dhe qetësinë e zonave kufitare”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Mao Ning, në përgjigje të një pyetjeje nga Bloomberg gjatë një konference të rregullt për shtyp në Pekin më 8 mars.

Gjeneral Majori indian në pension G.G. Dwivedi, një ish-ndihmës shefi i shtabit të mbrojtjes së integruar të Indisë dhe një ish-atashe i mbrojtjes në Kinë, i tha Epoch Times se kufiri i diskutueshëm midis Indisë dhe Kinës – i quajtur “Linja e Kontrollit aktual” – ka të ngjarë të “kontestohet intensivisht” në të ardhmen.

Kjo do të thotë se të dyja palët do përfshihen në atë që ai e quajti “pozicion taktik” dhe “qëndrim strategjik”, parashikoi ai.

Me “pozicionimin taktik”, ai tregoi se India do pozicionohet kudo që të jetë e nevojshme për të kundërshtuar në mënyrë efektive çdo veprim sulmues nga ana e Kinës, ndërsa India dhe Kina do testojnë rregullisht njëra-tjetrën në kufi.

“Qëndrimi strategjik” do të thotë që India do investojë në menaxhimin afatgjatë të çështjeve të saj kufitare me Kinën.

Një perspektivë më e gjerë

Veterani indian tha se ai beson se çështja nuk është një incident i njëhershëm që përfshin vendosjen e 10,000 ushtarëve indianë, por ka të bëjë me kontekstin më të gjerë të zhvillimit të Indisë përballë Kinës. Ky kontekst, tha ai, ka një rëndësi të trefishtë: taktik, strategjik dhe global.

Strategjikisht, ai tha se rivendosja e Indisë filloi disa vite më parë, në përgjigje të inkursioneve masive të ushtrisë kineze në Ladakh-un Lindor në fillim të majit 2020, e cila shkeli pesë marrëveshjet kryesore dypalëshe për ruajtjen e paqes dhe qetësisë në kufij.

Incidenti i përgjakshëm i Luginës Galëan në qershor 2020, në të cilin trupat kineze dhe indiane u angazhuan në luftime brutale trup më dorë, e përkeqësoi më tej gjendjen.

“Me marrjen e pushtetit nga Xi Jinping në vitin 2012, Kina kaloi nga një sjellje e sigurt në atë agresive,” tha ai. Galëan nuk ishte incidenti i vetëm alarmues për Indinë, tha ai, duke përmendur më parë, shkelje të kufizuara nga Kina në zonat e diskutueshme të Depsang, Demchok dhe Doklam.

Depsang është në Ladakh-un Qendror, ndërsa Demchok është në skajin jugor të kufirit të diskutueshëm Indi-Kinë në Ladakh. Doklam, ose Donglang në kinezisht, është në kryqëzimin e trefishtë midis Indisë, Butanit dhe Kinës. Ishte vendi i një përplasjeje ushtarake midis ushtrisë kineze dhe trupave indiane për dy muaj në vitin 2017.

Ndërkohë, ai tha, “Kina vazhdoi të rriste masivisht praninë e saj ushtarake në Tibet dhe gjithashtu vazhdoi të rinovonte menaxhimin e kufirit përmes fshatrave të rinj kufitar Xiaokang”.

Kina njoftoi në vitin 2017 se do zhvillonte 628 fshatra Xiaokang përgjatë kufirit të saj de fakto me Indinë. Ligji i ri kinez i kufirit tokësor që hyri në fuqi më 1 janar 2022, kishte dispozita për ndërtimin e fshatrave.

Të gjitha ishin lëvizje strategjike të Kinës. Përballja strategjike e Indisë me këto sfida të reja përfshin menaxhim më të gjerë të kufirit. Për shembull, në përgjigje të fshatrave Xiaokang të Kinës, India po ndërton “programin e saj të gjallërimit të fshatrave”.

“Një riekulibrim po ndodh,” tha gjenerali në pension.

Qeveria indiane prezantoi programin e “gjallërimit të fshatrave” në vitin 2022, duke njoftuar se do zhvillonte 663 fshatra përgjatë kufirit të diskutueshëm në fazën e parë, duke përfshirë 17 fshatra në Ladakh, Himachal Pradesh, Uttarakhand, Sikkim dhe Arunachal Pradesh si projekt provë.

Nga këndvështrimi i pozicionimit taktik, dislokimi, thotë Dëivedi, po ndodh nën një komandë luftarake të sapokrijuar në sektorin qendror. Ushtarakisht, kufiri i Himalajeve të Indisë me ushtrinë kineze ka tre sektorë: Ladakh, që është në sektorin perëndimor, shtetet e Himachal Pradesh dhe Uttarakhand që janë në sektorin qendror dhe sektori lindor shkon përgjatë Sikkim në Arunachal Pradesh.

Perspektiva globale

Me shfaqjen e Kinës si një fuqi globale dhe ekonominë në rritje të Indisë, marrëdhëniet Indi-Kinë kanë një ndikim më të gjerë gjeopolitik. Qëndrimi strategjik i Indisë kundër Pekinit nuk kufizohet në vijën e saj të frontit me Kinën; ai përfshin gjithashtu qëndrime globale, siç është pjesëmarrja e Indisë në aleancën QUAD me Shtetet e Bashkuara, Japoninë dhe Australinë.

Strategjia në rritje e Indisë kundër Kinës përfshin interesat e saj më të gjera gjeopolitike dhe përfshin një ndryshim të thellë në qëndrim, thonë vëzhguesit.

“India ishte mësuar të ishte e kujdesshme, por tani ne kemi një qasje tjetër; ne do jemi më aktivë, më proaktivë. Ne nuk do anashkalojmë kufijtë që ndajmë me Tibetin, në Uttrakhand dhe në Himachal,” tha zonja Hasija.

Gjenerali në pension Dëivedi tha se vendosja e re e Indisë përgjatë kufirit në Himachal Pradesh dhe Uttarakhand shihet si përgjigje e Nju Delhit ndaj Kinës, në përputhje me të drejtën e saj për të mbrojtur veten kundër lëvizjeve ekspansioniste kineze.

Ai mendon se kjo ka krijuar një perspektivë globale “të favorshme” ndaj Indisë, pasi ajo ka kundërshtusar t’u nënshtrohet në mënyrë pasive taktikave kineze.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e The Epoch Times

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani