Vendosni fjalën kyçe....

Joshje nga Rama për Sazanin? Grenell i shmanget pyetjes: Investim i sektorit privat duke lënë mënjanë politikën


Richard Grenell në intervistën e tij për “Çim Peka Live” në Syri Tv nuk u përgjigj pyetjes nëse projekti i Sazanit ka qenë joshje nga kryeministri Edi Rama.

Ai tha se projekti vjen si pasojë e një eksplorimi në rajon dhe një mendimi nga ekspertë përpara se të vendosej.

Amerikanët kanë investuar prej kohësh në Greqi. Janë të shumë amerikanët që kanë investuar aty. Por ka ardhur kohë të gjejmë zona të reja. Njerëzit gjithnjë duan të dinë se çfarë të rejash ka, çfarë ka më mirë. Ne eksploruam të gjithë rajonin dhe investimin e njoftuam edhe në Serbi. Do të zhvillojmë plot projekte të reja, ky është vetëm fillimi. Ku duhet investuar në Shqipëri? Morëm kohë, bëmë kërkim, folëm me shumë persona dhe vendosëm për zonën më të mirë. Ne duam të ndërtojmë diçka moderne, për të cilën shqiptarët të ndihen krenarë. Mendojmë se do të jetë një xhevahir për të gjithë botë, jo vetëm për rajonin. Përgjigjja është se kemi folur me shumë njerëz, me shumë ekspertë, disa i sollëm në vend përpara se të vendosnim ç’të bënim. Sollëm ekspertë amerikanë dhe perëndimorë për të parë zonën, terrene të ndryshme dhe për të përgatitur planin e veprimit”-deklaroi Grenell.

Ai theksoi se projekti është një investim tërësisht privat dhe duhet lënë mënjanë politike.

Grenell theksoi se ata kanë investuar në vende konservatore, liberale apo edhe të së majtës ekstreme nuk ka rëndësi për ta drejtimi politik.

Ai theksoi se çdo qeveri do investime dhe projekti do të ekzistojë për një kohë të gjatë.

Jeni shumë i zoti në politikë. Dhe mua më pëlqen politika dhe të flas me ty për politikë. Fakti është që ky është një investim i sektorit privat, duke lënë mënjanë politikën. Sikurse e dini, ne investojmë në vende konservatore, liberale, të të majtës ekstreme, pak rëndësi ka, ne përpiqemi të punojmë me të gjithë. Mendoj se paratë dhe investimet nuk janë ithtarë të politikës. Çdo qeveri do investime dhe ne këtë po bëjmë. Ky është një projekt që do të ekzistojë për një kohë të gjatë dhe pavarësisht se kush është në pushtet në çdo vend të Ballkanit, qëllimi ynë është që çdokush të ndihet krenar. Ky projekt i bashkon të gjithë në Shqipëri dhe rajon. Meqenëse ende nuk është firmosur asgjë dhe projekti vazhdon të hidhet në letër, ne duam të marrim sa më shumë komente nga njerëzit: çfarë u pëlqen dhe çfarë jo. Kjo nuk ka përfunduar dhe as nuk është nënshkruar, prandaj duam të sigurohemi që të kemi një mbështetje sa më të gjerë të popullit shqiptar”-u shpreh Grenell