Vendosni fjalën kyçe....

META nën hetim për rol në shitjen e paligjshme të drogës – Media


Prokurorët amerikanë në Virxhinia po hetojnë nëse META, kompania mëmë e e Facebook-ut, lehtësoi dhe përfitoi nga shitja e paligjshme e drogës, raportoi Wall Street Journal të shtunën, duke cituar dokumente dhe njerëz të njohur me këtë çështje.

Prokurorët dërguan fletëthirrje vitin e kaluar dhe kanë bërë pyetje si pjesë e një hetimi penal, thuhet në raport, duke shtuar se ata kanë kërkuar gjithashtu të dhëna në lidhje me përmbajtjen e drogës ose shitjen e paligjshme të drogës nëpërmjet platformave të META-s.

Administrata e Ushqimit dhe Barnave FDA ka ndihmuar gjithashtu me hetimin, shtoi gazeta. Ajo vuri në dukje se hetimet nuk çojnë gjithmonë në akuza për keqbërje.

Gazeta citoi një zëdhënës të META-s të thoshte në një deklaratë: “Shitja e drogave të paligjshme është në kundërshtim me politikat tona dhe ne punojmë për të gjetur dhe hequr këtë përmbajtje nga shërbimet tona”.

“META bashkëpunon në mënyrë proaktive me autoritetet e zbatimit të ligjit për të ndihmuar në luftimin e shitjes dhe shpërndarjes së drogave të paligjshme,” shtoi ai.

Zyra e prokurorit dhe një zëdhënëse e FDA nuk pranuan të komentojnë për WSJ.

Meta, FDA dhe zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Virxhinias nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesës së Reuters për koment.

Presidenti i META-s për çështjet globale, Nick Clegg, tha në platformën e mediave sociale X të premten se Meta ishte bashkuar me Departamentin e Shtetit të SHBA, Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin dhe Snapchat për të ndihmuar në ndërprerjen e shitjes së drogave sintetike në internet dhe edukimin e përdoruesve në lidhje me rreziqet e lidhura me to.

“Epidemia e opioideve është një çështje madhore e shëndetit publik që kërkon veprim nga të gjitha pjesët e shoqërisë amerikane,” tha Clegg.

Kjo nuk është hera e parë që kompania mëmë e Facebook është dërguar në gjykatë nga prokurorë në Shtetet e Bashkuara.

Vitin e kaluar, një padi u ngrit në Delaëare nga disa fonde investimi duke pretenduar se drejtorët dhe drejtuesit e lartë të META-s kanë ditur prej kohësh për trafikimin e shfrenuar të qenieve njerëzore dhe shfrytëzimin seksual të fëmijëve në Facebook dhe Instagram, por nuk kanë arritur të adresojnë sjelljen grabitqare, shkruan Al Jazeera.

Në një deklaratë, zëdhënësi i META-s, Andy Stone, tha se kompania ka kaluar “mbi një dekadë duke luftuar këto abuzime të tmerrshme si në platformat tona ashtu edhe jashtë saj dhe duke mbështetur zbatimin e ligjit në arrestimin dhe ndjekjen penale të kriminelëve që qëndrojnë pas saj”.