Sot ishte seanca në Apelin e Posaçëm për shqyrtimin e kërkesës së Sali Berishës për të marrë pjesë në seancat e Kuvendit. Mirëpo seanca nuk u zhvillua dhe u shty për datën 25 mars në ora 09:00.
Për mediat dha një prononcim avokati i Berishës, Genc Gjokutaj ku tha se në seancë mungonin dy prokurorët për arsye profesionale.
“Për arsye profesionale nuk mund të ishin prezent. Është një sebep, janë dy prokurorë, të paktën njëri duhej të ishte prezent. Profesioni i prokurorit është në hetim dhe gjykim. Sigurisht që me angazhimin e zotit Rama me punë të tjera duket kontakti i shkëputur”, tha Gjokutaj.
Gjokutaj u pyet edhe për uljen në tryezë të Rithemelimit me mazhorancën, por për Gjokutaj ajo nuk zgjidh problemin e Berishës që të marrë pjesë në seancat plenare.
“Ai kontakt atje nuk zgjidh problemin këtu. Zoti Berisha është në të njëjtat kushte. Jemi në kërkimet tona që ai të marr pjesë. Nga SPAK dhe Gjykatën e Shkallës së Parë na është rrëzuar. Është e rëndë të mungojnë prokurorët në seancë. Në një seancë ku ka një kërkesë shumë domethënëse. Si duket edhe një herë vërteton atë faktin se pa u rreshtuar politika këta nuk marrin pjesë dhe vazhdojnë me arsye profesionale”, tha ndër të tjera ai.