Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë kërkon shkarkimin nga detyra të gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër Arben Dosti për shkelje të rënda profesionale.
Sipas ILD-së gjyqtari ka shfaqur njëanshmëri në gjykimin e çështjeve duke liruar një të dënuar për dhunë në familje dhe një për armëmbajtje pa leje.
Njoftimi
Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka përfunduar hetimin disiplinor, bazuar në ankesën e depozituar nga një qytetare pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor në vitin 2019 dhe përcjellë për kompetencë ILD-së, mbi lirimin me kusht nga gjyqtari A.D., të një të dënuari përsëritës në shkelje të ligjit.
Lirimi me kusht është objekti i inspektimit të parë tematik të nisur nga ILD, që në nisje të fuksionimit, në shkurt 2020, për trajtimin e kërkesave me objekt lirim me kusht, për periudhën 01.01.2017-31.01.2020, edhe në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, ku ushtron detyrën gjyqtari, nga e cila janë administruar vendimet e pranimit të kërkesave për lirim me kusht, të marra nga A.D. në këtë periudhë. Nga hetimi disiplinor i kryer, ku përfshihet edhe analiza e 11 vendimeve të dhëna nga gjyqtari në periudhën 2017-2020 provohet se:
- Nga ana e magjistratit subjekt hetimi disiplinor janë ndërmarrë veprime/mosveprime të cilat kanë të bëjnë me mosrespektim të nenit 64 të Kodit Penal, 477 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe nenit 75 të ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve dhe të paraburgosurve” i ndryshuar.
- Nga ana e magjistratit nuk janë marrë prova vendimtare për zgjidhjen e çështjes duke shfaqur njëanshmëri në gjykimin e çështjes, të reflektuar në dhënien e vendimit për tre kërkues të dënuar, me qëllim përfitimin e padrejtë të lirimit me kusht dhe ulja e padrejtë e dënimit, në zbatim të gabuar të ligjit material dhe procedural, duke i sjellë përfitim të padrejtë, e cila është dhe pasoja e drejtpërdrejtë e shkeljes disiplinore.
Nga ana e magjistratit nuk janë respektuar dispozitat ligjore me karakter urdhërues, të cilat parashikojnë kritere me karakter objektiv dhe subjektiv për të përfituar në menyrë të drejtë lirimin me kusht dhe lehtësisht të kuptueshme për uljen e dënimit, ku përvoja profesionale në detyrë e magjistratit e lejon të interpretojë dhe zbatojë drejt këto dispozita.
Veprimet/mosveprimet e magjistratit janë kryer në mënyrë drejtpërdrejtë, të vullnetshme.
Veprimtaria e magjistratit ka sjellë pasoja për dhënien e drejtësisë duke cënuar prestigjin e gjyqtarit dhe ka cënuar besimin e publikut te drejtësia. Standardet e gabuara të vendimeve gjyqësore mund të aplikohen edhe nga magjistratë të tjerë, si dhe mund të shërbejnë si praktikë që dënuar të tjerë me rrezikshmëri shumë të lartë shoqërore të pretendojnë në kundërshtim me parashikimet e ligjore në fuqi për lirim me kusht, pa një zbatim të saktë të ligjit material dhe procedural, fakte të cilat kanë ndodhur më parë me të dënuar me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë vlerëson se për veprimet/mosveprimet e ndërmarra nga ana e magjistratit A.D. përbëjnë “Shkelje shumë të rëndë disiplinore”, që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të detyrës, dhe i propozon KLGJ-së masën disiplinore “Shkarkim nga detyra”, të parashikuar nga neni 111 i Ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, për shkeljen disiplinore të parashikuar nga neni 102, pika 1, shkronja “dh” dhe neni 102, pika 2, shkronja “a” të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.