Vendosni fjalën kyçe....

Në Rumani po ndërtohet baza më e madhe evropiane e NATO-s


Rumania ka nisur punën për rindërtimin e një baze ajrore që do të bëhet objekti më i madh i NATO-s në Evropë, sipas Euronews. Baza ndodhet pranë qytetit të Konstancës në Detin e Zi, rreth 130 km nga kufiri me Ukrainën.

Kur të përfundojë zgjerimi i bazës, ajo do jetë në gjendje të presë rreth 10,000 ushtarakë të NATO-s dhe anëtarët e familjeve të tyre, njoftoi media të shtunën.

“Në kontekstin e ri gjeopolitik, me një luftë në kufi, zhvillimi i bazës forcon krahun lindor të NATO-s”, tha Euronews, duke iu referuar luftës midis Rusisë dhe Ukrainës.

Projekti i gjerë, i cili do t’i kushtojë Bukureshtit 2.5 miliardë euro, përfshin një pistë të re ajrore, hangarë avionësh, depo karburanti dhe depo municionesh, tha media. Baza do ketë gjithashtu strehim për personelin, shkollat, kopshtet, dyqanet dhe madje edhe spitalin e saj.

Objekti ndodhet në Aeroportin Ndërkombëtar “Mihail Kogalniceanu” pranë qytetit port të Konstancës në Detin e Zi. Aktualisht janë 5000 ushtarë të NATO-s, kryesisht amerikanë, të vendosur në objekt.

Infrastruktura bazë për zgjerimin është duke u ngritur në vend, tha Euronews, duke shtuar se plani përfundimtar është që të lidhet pistën ekzistuese në bazë me një të re dhe ta lidhë atë me infrastrukturën e aeroportit ndërkombëtar.

Nuk ka të dhëna mbi afatin për përfundimin e projektit.