Vendosni fjalën kyçe....

Scholz: Gjermanisë nuk i duhen armët bërthamore


Kancelari gjerman Olaf Scholz tha se vendi i tij nuk ka nevojë për armë bërthamore.

Në fjalimin e tij në konferencën “Evropa 2024” në Berlin, kancelari Scholz foli lidhur me sugjerimet se Gjermania duhet të ketë koka bërthamore dhe të zvogëlojë varësinë e saj nga mbrojtja amerikane.

“Gjermania nuk ka nevojë për armët e saj bërthamore”, deklaroi kancelari Scholz duke theksuar se NATO vazhdon të jetë gurthemeli i sigurisë evropiane.

Scholz u shpreh se pavarësisht disa dallimeve politike midis SHBA-së dhe partnerëve të saj evropianë, lidhjet transatlantike mbeten të forta dhe të rëndësishme. “Ndoshta kemi vlerësime të ndryshme në aspektin gjeopolitik, por një gjë është e qartë, ne ndajmë vlera të tilla si demokracinë dhe sundimin e ligjit. Gjë kjo e cila na bën të ndryshëm nga të tjerët. Sigurisht, ne jemi më të fortë brenda aleancës transatlantike. Pra, nuk ka asnjë arsye për të sfiduar atë që është kaq e vlefshme, domethënë NATO-n dhe bashkëpunimin transatlantik”, tha ai.

Duke vënë në dukje se mesazhi më i rëndësishëm që duhet t’i jepet presidentit rus Vladimir Putin është të sigurohet ndihmë e vendosur ushtarake për Ukrainën, Scholz tha: “(Putini) duhet të dijë se spekulimet që ne nuk mund të vazhdojmë mbështetjen tonë për Ukrainën për aq kohë sa është e nevojshme janë të rreme. Kjo nënkupton se ai nuk duhet të besojë se në SHBA do të zgjidhet një president që do ta varrosë menjëherë Ukrainën bashkë me të”.

Kancelari gjerman kritikoi me një gjuhë të ashpër diskutimet që vazhdojnë prej javësh për mbështetjen që Gjermania jep ndaj Ukrainës. “Diskutimet në Gjermani nuk janë asgjë më shumë se qesharake. Është turp për ne si vend”, tha ai.

Diskutimet lidhur me dorëzimin e raketave lundruese “Taurus” nuk janë kuptuar jashtë Gjermanisë, njoftoi Scholz i cili tha se në gjermani do të dëshironte të shihte një diskutim që nuk e vlerëson kujdesin si hezitim.

Disa politikanë gjermanë kanë sugjeruar në muajt e fundit se Gjermania duhet të zhvillojë arsenalin e saj bërthamor me partnerët e saj në BE dhe të zvogëlojë varësinë e saj nga mbrojtja e SHBA-së.