Vendosni fjalën kyçe....

Scholz vendos të mos e urojë Putinin pas rizgjedhjes


Kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz nuk do t’i dërgojë një mesazh urimi presidentit rus Vladimir Putin pas rizgjedhjes, të cilën Berlini e ka cilësuar si “jodemokratike”, tha zëdhënësja e qeverisë Christiane Hoffmann në një konferencë për media të hënën.

Putin fitoi me një diferencë të madhe, duke marrë 87% të votave, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Rusisë. Votimi i këtij viti pa gjithashtu pjesëmarrjen më të lartë në historinë moderne të Rusisë, që tejkaloi 74%.

Hoffmann pretendoi se votimi nuk ishte demokratik dhe “asnjë kandidat i vërtetë kundërshtar nuk u lejua”. Ajo e quajti Rusinë një “diktaturë” të sunduar “në mënyrë autoritare” nga Putin dhe shtoi se Scholz ndan një vlerësim të tillë.

Berlini dënoi një “klimë frikësimi” dhe mungesë të “lirisë së shprehjes” në Rusi.

“Ne i shohim këto të ashtuquajtura zgjedhje në Rusi fundjavën e kaluar si jo të lira e jo të drejta”, tha Hoffmann, në një deklaratë që ishte e ngjashme me atë të ofruar më parë nga SHBA-ja.

Zgjedhjet kombëtare ruse të vitit 2024 shkaktuan një mori deklaratash kritike në Perëndim, të cilat u hodhën poshtë nga Moska.