Vendosni fjalën kyçe....

Butrinti/Ministri Gonxhe reagon për raportin e UNESCO-s: Duke punuar për një plan tërësor që rrit transparencën


Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ka reaguar sot në lidhje me raportin e UNESCO-s për Butrintin.

Sipas tij, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka shqyrtuar me vëmendje të veçantë rekomandimet e Raportit të UNESCO/ICOMOS, si një dokument objektiv, konstruktiv dhe shumë të vlefshëm, dhe gjen rekomandimet e tij në përputhje me vizionin dhe qëndrimin e këtij institucioni për administrimin e qëndrueshëm e të integruar të Butrintit.

 

Reagimi i plotë:

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ndjek me vëmendje dhe prioritet rrethanat e reja të krijuara me modelin e ri të administrimit të Parkut Kombëtar të Butrintit dhe është duke punuar në mënyrë intensive për hartimin e një plani tërësor veprimesh, që synon:

a) forcimin e rolit dhe koordinimit të institucioneve publike, qendrore dhe vendore;

b) rritjen e transparencës dhe gjithë-përfshirjen në proceset vendimmarrëse;

c) koherencën e nevojshme në administrimin e gjithë territorit të Parkut Kombëtar të Butrintit, si një tërësi e vetme.

MEKI ka shqyrtuar me vëmendje të veçantë rekomandimet e Raportit të UNESCO/ICOMOS, si një dokument objektiv, konstruktiv dhe shumë të vlefshëm, dhe gjen rekomandimet e tij në përputhje me vizionin dhe qëndrimin tonë për administrimin e qëndrueshëm e të integruar të Butrintit. Natyrisht, kemi vëmendje edhe ndaj diskutimeve zyrtare dhe publike lidhur me këtë Raport, si dhe formën e re të administrimit të një nënzone të Butrintit.

MEKI ka ndjekur edhe diskursin politik të një grupi deputetësh të opozitës (e drejtë e rolit të tyre parlamentar), si dhe kërkesën e tyre në Gjykatën Kushtetuese për moskushtetueshmërinë e Ligjit nr. 50/2022 “Për miratimin e marrëveshjes për administrimin e nënzonave të trashëgimisë kulturore dhe peizazhit kulturor, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit”. Në respekt të plotë të gjykimit të pavarur të Gjykatës Kushtetuese, MEKI nuk ka mbajtur një qëndrim publik në lidhje me këtë çështje. Por deklaratat e ditëve të fundit për Raportin e misionit të përbashkët të Qendrës së Trashëgimisë Botërore dhe ICOMOS, na nxisin të informojmë publikun për vlerësimin tonë lidhur me këtë Raport.

MEKI është e ndërgjegjshme se analiza e modelit të ri të administrimit të Butrintit duhet të zhvillohet rreth Vlerave të Jashtëzakonshme Universale që mbart kjo pasuri kulturore e njerëzimit. Vlerësimi i Raportit të UNESCO/ICOMOS se këto vlera janë të pacenuara është shumë i rëndësishëm. Por, edhe vlerësimi tjetër se këto vlera mbeten të ekspozuara ndaj rreziqeve potenciale natyrore dhe njerëzore, përputhet gjithashtu me gjykimin tonë. Në këtë kontekst, roli qendror i Shtetit, jo vetëm nuk do të zbehet në formën e re administruese të një pjese të pasurisë universale, por do të jetë garantues i koherencës së mbrojtjes dhe zhvillimit të gjithë Parkut Kombëtar të Butrintit. Në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit dhe entet e tjera shtetërore, qendrore dhe vendore, do të ngremë Komitetin e Koordinimit të Parkut Kombëtar të Butrintit, me një bazë të gjerë ekspertize dhe përfaqësimi, të aftë për të koordinuar dhe monitoruar zbatimin e strategjive dhe politikave të konservimit dhe administrimit të pasurisë universale të Parkut Kombëtar.

Mbivendosja e shumë vendimeve, hartave dhe ndryshimeve të kufijve të Parkut ndër vite, ka krijuar një situatë, të cilën Raporti i fundit i UNESCO/ICOMOS e vlerëson si konfuze. Kjo nuk ndihmon në përcaktimin e qartë të detyrave dhe përgjegjësive të gjithë enteve të përfshira në mbrojtjen, konservimin dhe zhvillimin e Parkut Kombëtar të Butrintit, ndaj MEKI ka nisur punën për vlerësimin e detajuar të kësaj situate. Në bashkëpunim me MTM-në, partnerët ndërkombëtar dhe komunitetin, do të hartojmë dhe propozojmë një variant ku detyrat, të drejtat dhe përgjegjësitë të jenë qartazi të identifikuara.

Gjithashtu, MEKI angazhohet për arritjen e objektivit të përputhshmërisë sa më të shpejtë, duke afruar sa më shumë të jetë e mundur kufijtë e Pasurisë Botërore dhe të Zonës së saj të Mbrojtur (Buffer Zone), me nënzonat e klasifikuara nga specialistët tanë më të mirë, së bashku me regjimet specifike të mbrojtjes së secilës prej tyre.

Qendra e Trashëgimisë Botërore, si institucioni që monitoron dhe siguron zbatimin e Konventës së Parisit, sikurse edhe Raporti i fundit i UNESCO/ICOMOS, nuk kanë shprehur në asnjë rast shqetësim për shkelje të mundshme të Konventës nga Shteti Palë (Shqipëria). Roli qendror i shtetit dhe përgjegjësia e tij ndaj Konventës nuk cenohen as nga forma e re e administrimit të nën-zonës A3 të Parkut nga Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit dhe as nga Bordi i tij i drejtorëve. Ky i fundit, nuk është konceptuar dhe nuk do të jetë ndonjëherë arenë e përballjeve të “votave të njërës palë me votat e palës tjetër”. Njëqind për qind të votave të Bordit janë dhe do të jenë në funksion të mbrojtjes, konservimit dhe zhvillimit të pasurisë kulturore e natyrore. Sidoqoftë, MEKI beson se grupet e interesit, veçanërisht komunitetet vendore, mund të përfaqësohen në Bord me statusin e vëzhguesit (siç sugjeron edhe Raporti i fundit), në funksion të rritjes së transparencës.

MEKI e vlerëson si shumë të rëndësishme fazën tranzitore drejt vendosjes së plotë të regjimit të ri administrues në nënzonën A3 të Parkut të Butrintit. Plani i konservimit arkeologjik, me ndërhyrjet prioritare të përcaktuara nga Plani i Menaxhimit, do të fillojë zbatimin menjëherë. Fondet e nevojshme për aktivitetin e parashikuar prej tij, do të vendosen në dispozicion të strukturave dhe aktiviteti kërkimor do të gjallërohet duke nisur nga ky sezon, me pjesëmarrjen e institucioneve kërkimore dhe universiteteve të ndryshme.

MEKI ndan të njëjtin qëndrim me konstatimet e raportit të fundit të UNESCO, se:

a) Plani i Integruar i Menaxhimit ofron një bazë të shkëlqyer për të ardhmen e administrimit të Butrintit;

b) vendimmarrja për zhvendosjen e një pjese të territorit urban të Ksamilit nga zona e mbrojtur e Parkut Kombëtar të Butrintit është në linjë me propozimet e Planit të Integruar të Menaxhimit dhe synon kufizimin e zhvillimit të mëtejshëm urban të zonës;

c) nuk ka sjellë asnjë cenim të Vlerave të Jashtëzakonshme Universale të pasurisë botërore.

MEKI e konsideron vendimmarrjen e sipërcituar një hap shumë të rëndësishëm për harmonizimin e interesave zhvillimore të komuniteteve vendore, me interesat e mbrojtjes së vlerave kulturore dhe peizazheve të Butrintit.

Njëkohësisht, po identifikojmë hapat për forcimin e mëtejshëm të strukturave tona, në rolin e kontaktit me Qendrën e Trashëgimisë Botërore, si dhe të harmonizimit të vendimeve shtetërore me rekomandimet e saj. Zhvillimi i zonës jashtë territorit të Parkut Kombëtar të Butrintit është nën mbikëqyrje të vazhdueshme, me synim vendosjen e detyrueshme të standardit më të lartë për Vlerësimin e Ndikimit mbi Trashëgiminë Kulturore.