Vetë mbijetesa e Ukrainës mund të vihet në rrezik nëse Perëndimi nuk dërgon më shumë ndihmë ushtarake, tha të martën Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin.
Kreu i Pentagonit ishte në Gjermani për një takim të të ashtuquajturit Grupi i Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës në bazën ajrore Ramstein, në udhëtimin e tij të parë jashtë shtetit që nga shtrimi i tij në spital në janar.
“Sot, mbijetesa e Ukrainës është në rrezik dhe siguria e Amerikës është në rrezik”, tha Austin në një konferencë për shtyp pas takimit.
Furnizimi me armë, pajisje dhe municione është “çështje mbijetese dhe sovraniteti për Ukrainën” dhe “çështje nderi dhe sigurie për Amerikën”, shtoi ai.
Ai nuk tha se si SHBA-ja synon të mbështesë Ukrainën pa fonde shtesë. Projektligji që do siguronte mbi 60 miliardë dollarë ndihmë për Kievin është ende i mbërthyer në Kongresin amerikan.
“Mosveprimi i SHBA-ve tashmë ka çuar në humbjen e terrenit nga Ukraina në fushën e betejës, tha Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre në konferencën për shtyp të së martës. Presidenti Joe Biden, është përpjekur të bëjë presion ndaj kryetarit republikan të Kongresit, Mike Johnson, për të miratuar financimin e Ukrainës prej muajsh, deri më tani pa sukses.
Pas takimit në Ramstein, ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius njoftoi një paketë armësh dhe municionesh për Kievin me vlerë 500 milionë euro.