Deputetja Jorida Tabaku ka deklaruar se sipas të dhënave të fundit të EUROSTAT, vendi ynë është i fundit në Ballkanin Perëndimor sa i përket të ardhurave për frymë.
Në një video të shpërndarë në rrjetet sociale, Tabaku tha se qeveria ka lënë në harresë sektorët kryesorë të ekonomisë.
“Ndërkohë që kanë investuar në ndërtim dhe në llaç e tulla, me vizionin që kanë pasur për të mbështetur këtë sektor, ka rezultuar në zhvlerësim të Euros, në rënie të eksporteve me 16%, në zhvlerësim të produkteve Made in Albania që sot s’po dalin dot në tregjet ndërkombëtare dhe pothuajse në 175 mijë familje që janë në rrezik për punën e tyre”, ka shkruar ajo.
Postimi i plotë:
Si janë familjet shqiptare sot? Pas 12 viteve të qeverisë socialiste a janë më mirë familjet shqiptare apo jo? Përgjigja është këtu! Të dhënat e EUROSTAT tregojnë që të ardhurat për frymë janë sa 40% e PBB-së, të fundit në Ballkanin Perëndimor. Të fundit në Europë dhe të pakrahasueshëm me askënd.
Atëherë kjo rritje e madhe dhe ky propseritet i propagandës përse nuk përjetohet në xhepat e shqiptarëve? Përgjigja është tek vizioni qeverisë! Ndërkohë që kanë investuar në ndërtim dhe në llaç e tulla, me vizionin që kanë pasur për të mbështetur këtë sektor, ka rezultuar në zhvlerësim të Euros, në rënie të eksporteve me 16%, në zhvlerësim të produkteve Made in Albania që sot s’po dalin dot në tregjet ndërkombëtare dhe pothuajse në 175 mijë familje që janë në rrezik për punën e tyre.
Ndërsa sektorët kryesorë dhe prioritetet kryesore janë lënë në harresë. Sot, bujqësia është në tre vite të njëpasnjëshme në rënie. Pse nuk po reflektohet kjo rritje e madhe në turizëm në gjithë sektorin, në zinxhirin e vlerës të 300 mijë fermerëve shqiptarë?
Pse në pikun e turizmit bie konsumi me 0.53%? pikërisht prej pabarazisë së krijuar, informalitetit e prej sistemit të ngritur, prej sistemit korruptiv të ngritur, që nuk promovon me të vërtetë ato që punojnë, por promovon ato modele e raste që nuk japin mbrapsht në ekonomi. Këtë duhet ta luftojmë!