Ministri i Brendshëm, Taulant Balla reagoi sot për arrestimin e dy prej autorëve të përfshirë në ekzekutimin e 43-vjeçarit Gentian Bejtja në Fushë-Krujë.
Në postimin e tij në rrjetet sociale Balla shprehet se pret gjithashtu rezultate edhe në drejtim të identifikimit të autorëve të ngjarjeve në Vlorë, Lezhë dhe Shkodër.
“Detyra e Policisë së Shtetit është të parandalojë ose të zbardhë çdo ngjarje kriminale dhe të vendosë para drejtësisë fajtorët. Sapo kam përgëzuar drejtuesit e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë për punën e deritanishme hetimore në drejtim të zbardhjes së ngjarjes kriminale disa ditë më parë në Fushë-Krujë.
Pres gjithashtu rezultate edhe në drejtim të identifikimit të autorëve të ngjarjeve në Vlorë, Lezhë dhe Shkodër. Autorët apo porositësit e ngjarjeve kriminale mund të fshihen për një kohë, brenda dhe jashtë vendit, mund të tentojnë t’i shmangen ekstradimeve, por detyra e Policisë së Shtetit është t’i gjejë kudo që fshihen dhe t’i vendosë para drejtësisë. Për këtë qëllim duhet punë e pandërprerë hetimore dhe bashkëpunim me agjencitë partnere dhe me qytetarët, informacionet e të cilëve janë shumë të vlefshme. Dy persona të kërkuar nga drejtësia janë ndaluar/ekstraduar gjatë 24 orëve të fundit“, njofton Balla.