Vendosni fjalën kyçe....

DASH për takimin Daçiç-Lavrov: Të mos i ofrohet Putinit platformë për të nxitur agresion


Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë të enjten për Radion Evropa e Lirë se është i vetëdijshëm për një takim mes ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiç, me homologun e vet rus, Sergei Lavrov, më herët gjatë ditës në Moskë.

“Ne nuk besojmë se një vend duhet t’i ofrojë [presidentit rus Vladimir Putin një platformë për ta promovuar, ose arsyetuar luftën e tij të vazhdueshme agresore kundër Ukrainës,” tha DASH për Radion Evropa e Lirë.

Daçiçi udhëtoi drejt kryeqytetit rus me ftesë të Lavrovit për ta shikuar një ndeshje miqësore në futboll mes ekipeve kombëtare të Serbisë dhe Rusisë të enjten pasdite.

Serbia u bë kombëtarja e parë evropiane që luan ndeshje futbolli në Rusi prej se Moska e nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt 2022.

Beogradi zyrtar nuk ka pranuar të bëhet pjesë e sanksioneve të Bashkimit Evropian megjithëse synon të anëtarësohet në të  prej kur blloku filloi ta sanksionojë Rusinë dy vjet më parë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Pas takimit me Lavrovin, Daçiç tha se ruajtja e marrëdhënieve me Rusinë dhe Kinën është “interes jetik shtetëror” për Serbinë.

Daçiç, shefi aktual i diplomacisë në Serbi, e mbron publikisht qëndrimin se Serbia nuk vendos sanksione ndaj Rusisë, megjithëse i kërkohet nga Bashkimi Evropian.

Beogradi zyrtar llogarit në mbështetjen e Rusisë dhe të Kinës në organizatat dhe institucionet ndërkombëtare për mosnjohjen e Kosovës si shtet të pavarur.

Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës e shpallur nga Prishtina zyrtare më 2008 por nga viti 2011 zhvillon dialog me të, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, për normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore.

Në Moskë, Daçiçi e falënderoi Rusinë për qëndrimin dhe mbështetjen e vendosur për Serbisë në lidhje me integritetin territorial dhe sovranitetin e saj, si dhe për çështjen e Kosovës.

Ministri i Jashtëm rus Lavrov tha para takimit se Rusia është e interesuar të “parandalojë krizat e reja” në Ballkan, sipas agjencisë së lajmeve, Beta.

Lavrovi thuhet t’i ketë thënë Daçiçit se dëshiron të dëgjojë prej tij një vlerësim për situatën në Ballkan, të cilën e ka vlerësuar si “serioze”.