Vendosni fjalën kyçe....

Fermerët polakë s’i ndalin protestat, bllokojnë rrugët në mbarë vendin


Fermerët polakë shtuan protestat mbarëkombëtare të mërkurën, duke dënuar politikat bujqësore të BE-së dhe vërshimin e importeve pa taksa nga Ukraina. Dhjetëra mijëra punëtorë të bujqësisë po bllokojnë rrugët në disa qindra pika në gjithë vendin, sipas raporteve të mediave.

Demonstruesit kanë bllokuar rrugët kryesore që çojnë jashtë kryeqytetit Varshavë me traktorë dhe pajisje të tjera bujqësore, kanë raportuar media të shumta.

“Na kanë mbaruar argumentet. Ne duhet të punojmë në fushë, pranvera tashmë ka ardhur, por kjo nuk ka kuptim, pasi ne nuk do fitojmë asgjë, kështu që jemi këtu,” tha për mediat një nga protestuesit, një fermer që e quajti veten Krzysztof.

Janë bllokuar edhe rrugët që të çojnë në kufirin gjermano-polak. Pamjet nga zona tregojnë dhjetëra automjete të parkuara në autostradë, duke bllokuar lëvizjen.

Policia u thirr në vendet ku janë mbledhur demonstruesit.

Protestat nga fermerët po zhvillohen në Poloni dhe në vende të tjera të BE-së prej javësh. Demonstruesit kanë kërkuar ndryshime në kufizimet e vendosura ndaj tyre nga politikat mjedisore të bllokut, të ashtuquajtura Marrëveshja e Gjelbër dhe për ndalimin e importeve të produkteve bujqësore nga jashtë bllokut, kryesisht Ukraina.

Fermerët ankohen se nuk janë në gjendje të konkurrojnë me importet e lira të Ukrainës që po vërshojnë tregjet e BE-së.

Pavarësisht protestave nga fermerët, më herët të mërkurën, Brukseli arriti një marrëveshje të përkohshme për të zgjatur qasjen pa taksa të Ukrainës në tregjet e saj deri në qershor 2025.

Megjithatë, marrëveshja paraqet një “frenim të menjëhershëm” në importet e shpendëve, vezëve, sheqerit, tërshërës, misri, drithërat dhe mjalti nëse tejkalojnë nivelet mesatare të viteve 2022 dhe 2023. Megjithatë, protestuesit polakë e kundërshtuan marrëveshjen, duke thënë se ata duan që pika referimi për kufijtë e importit të jenë vitet para konfliktit në Ukrainë.