Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ngritjen e dy komisioneve hetimore, të cilat ishin kërkuar nga opozita. Komisionet e reja të miratuara janë Komisioni Hetimor për Shërbimin Publik të Sterilizimit dhe Shërbimit Publik të Check-Up në Shëndetësi, si dhe Komisioni për Trajtimin e të Dhënave të Sistemit TIMS.
Komisioni Hetimor për Shërbimin Publik të Sterilizimit dhe Shërbimit Publik të Check-Up në Shëndetësi mori një shumicë prej 95 votash pro, një abstenim dhe asnjë kundër. Ndërsa Komisioni Hetimor për Trajtimin e të Dhënave të Sistemit TIMS mori një shumicë prej 96 votash pro, një abstenim dhe asnjë kundër. Kjo tregon një përkrahje të gjerë për ngritjen e këtyre komisioneve për të hetuar çështje të rëndësishme në fushën e shëndetësisë dhe trajtimit të të dhënave personale.
Akti normativ për disa ndryshime në ligjin nr. 97/2023, “Për buxhetin e vitit 2024”, u miratua me një shumicë prej 71 votash pro dhe 23 vota kundër.
Miratimi i aktit normativ përfshinë rialokimin e një fondi prej 400 milionë dollarësh nga buxheti i shtetit për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së të Rithemelimit, Gazment Bardhi, e cilësoi korruptiv vendimin për të financuar 100% nga buxheti i shtetit ndërtimin e portit te ri në Durrës.
Nga foltorja e Kuvendit, ai përmendi 4 verisone të ndryshme financimi, të dhëna prej qeverisë në më pak se 1 vit për mënyrën e financimit.
“Në atë kohë kur kaloi ligji për portin aktual të Durrësit, u zotuan para Kuvendit dhe nuk ka akt më të rëndë sesa kur qeveria gënjen Kuvendin.U zotuan këtu se për portin e durresit nuk do jepnin asnje çindarkë nga buxheti i shtetit. Sot do paguajnë 400 milion euro”
Gazment Bardhi akuzoi ministren Balluku dhe kryeministrin për krijimin e skemave të korrupsionit me miliona euro, e për këtë, si shembull mori rastin e drejtorit të autoritetit rrugor.
“Këta të dy bëjnë sikur nuk kanë dijeni. Sikur jetojnë në hënë. Këta që kanë një sistem patronazhistësh dhe dinë se çfarë hanë shqiptarët në shtëpinë e tyre dhe nuk dinë se çfarë bëjnë drejtorët e tyre. Vetëm në një procedurë prokurimi, drejtori i autoritetit rrugor kishte vjedhur 1.5 milion euro”-shtoi Bardhi.