Vendosni fjalën kyçe....

Rama: Nuk ka ende asnjë aplikim për Zvërnecin


Projekti për Sazanin, i përfaqësuar nga grupi i dhëndrit të ish-presidentit amerikan Trump, Jared Kushner, ka përmendur emrin e një kompanie të njohur të industrisë së hotelerisë në botë, Aman Resorts, e cila drejtohet nga Vladislav Doronin. Deri tani, nuk dihet që Doronin të ketë pasur interes për Shqipërinë.

Në një intervistë për “Opinion” në Tv Klan, kryeministri Edi Rama ka sqaruar nëse Aman do të operojë në këtë projekt ose nëse kjo është ende një pjesë e negociatave.

Rama ka konfirmuar se Doronin nuk ka pasur interes për Shqipërinë më parë, por gjatë një vizite në vend, ai është impresionuar dhe ka shprehur dëshirën për të parë mundësinë si një opsion të mundshëm.

Pjesë nga intervista:

Edi Rama: Ai është një tjetër njeri të cilit unë i jam qepur prej kohësh për ta tërhequr në Shqipëri. Ka qenë tërësisht i painteresuar për Shqipërinë, pastaj ka ardhur dhe e ka vizituar Shqipërinë. E kemi shoqëruar, jo unë por e kemi shoqëruar me një ekip njerzish për të parë vende të ndryshme. Ka qenë i befasuar me Tiranën nga zhvillimi dhe me bregdetin nga bukuria. Është larguar duke thënë që unë do ta shoh Shqipërinë si një opsion, por pa dhënë asnjë indikacion konkret. Pasaj e kam parë në publikimin që ka bërë Kushner-i.

Blendi Fevziu: Pra e lidhën investitorët me të, nuk është se jeni ju.

Edi Rama: S’mund të jem unë sepse ajo është një marrëdhënie private por edhe po të isha unë do të isha shumë krenar në qoftë se do të isha bashkuar bashkë.

Fevziu i kujtoi Ramës se Kushner ka patur shef sigurie Charles McGonigal që ia cilësoi si “mikun e tij të vjetër”.

Edi Rama: Më e bukura është që ai ka qenë shpallur nga vetë presidenti Trump si armiku i tij publik dhe kur ai u mor në investigim, presidenti Trump ka bërë një deklaratë me video ku ka thënë “u kalbsh në ferr”. Teoria e konspiracionit këtu është që armiku kryesor, falë meje, pra unë e paskam kam bindur dhëndrin e Trump që të marrë McGonigal dhe ky ka braktisur tani vjehrrin e vet që të bashkëpunojë me mua dhe McGonigal.

Blendi Fevziu: Zona e Zvërnecit është zonë e mbrojtur, si do të bëhet investimi në Zvërnec? Apo nuk shtrihet në Zvërnec?

Edi Rama: Tani e para, nuk e di. Këtë nuk e di. 

Blendi Fevziu: Pra keni parë vetëm fotot dhe nuk keni asnjë aplikim, zyrtarisht s’ka asgjë?

Edi Rama: S’kemi asnjë aplikim, s’kemi asgjë.

Blendi Fevziu: Vetëm se këtu ka një ndryshim, Sazani është tokë shtetërore, Zvërneci është tokë private.

Edi Rama: Pikërisht pra se tani flitet për zonat e mbrojtura, flitet për bukuritë e natyrës dhe ka disa gjëra që duhet t’i them unë.

Blendi Fevziu: Do bëj edhe njëherë sqarimin,  për Zvërnecin ju nuk keni asnjë ide për momentin, asnjë projekt konkret?

Edi Rama: Nuk kemi asnjë projekt konkret.

Blendi Fevziu: Po as bisedë me të që të ketë shprehur interesin?

Edi Rama: Kemi dëshirë të bëjmë një zhvillim në Sazan dhe ta lidhim atë me një zhvillim në tokë.

Blendi Fevziu: A jua ka hapur këtë bisedë Kushner ndonjëherë?

Edi Rama: Po pra, këtë po them, kemi dëshirë të bëjmë dy zhvillime, një në Sazan dhe një tokë.

Blendi Fevziu: Kjo ka qenë ideja e tij dhe deri tani ka sjellë disa dizajne për Sazanin dhe asgjë për Zvërnecin thoni ju?

Edi Rama: As dizajnin e Sazanit. Aplikimi që bëhet në agjenci është një aplikim, një shprehje interesi me të gjithë profilin e kompanisë, me çfarë dëshiron kompania.