Importet e naftës dhe të birrës u rritën më tej dy muajt e parë të vitit 2024, por ndërkohë, importet e kafesë dhe cigareve erdhën në rënie, raportojnë të dhënat e Ministrisë së Financave.
Importet e karburanteve arritën në 90 mijë tonë në dy muajt e parë të vitit aktual, me rritje 10% në krahasim me të njëjtën periudhe të një viti më parë. Importet e karburanteve në periudhën referencë arritën nivelin më të lartë së paku nga viti 2000 kur Ministria e Financave raporton të dhënat mujore.
Hidrokarburet kanë ndjekur trendin në rritje të importeve në tërësi ku në dymujor është vërejtur zgjerim i konsiderueshëm. Sasia e importeve në total pësoi rritje vjetore me 20% në dy-mujorin e parë 2022.
Rritja ishte më e pranishme ne artikujt e konsumit kryesisht ushqimet. Burimet nga Shoqata e Hidrokarbureve bënë të ditur se, importet në hidrokarbureve po vjen nga kërkesa më e lartë që ka sektori i transportit prej zhvillimeve pozitive në turizëm.
Njësoj si hidrokarburet janë rritur edhe importet e birrës. Në dymujorin e parë 2024 u importuan 5814 tonë birrë, me rritje vjetore 13%. Birra e importit ka qenë në rritje të fortë vitet e fundit duke i marrë një pjesë të konsiderueshme të tregut birrës që prodhohet në vend.
Importet e birrës u intensifikuan edhe më shumë me heqjen e fashës mbrojtëse për prodhuesit e vegjël nën 200 mijë hektolitra. Para vitit 2023 prodhuesit me kapacitet prodhimi nën 200 mijë hektolitra paguanin 15 lekë akcizë për litër, ndërsa mbi këtë kufi 30 lekë për litër.
Fillimisht kjo fashë kishte qëllim të mbronte prodhimin vendas nga prodhuesit e mëdhenj e birrës së huaj, por më pas u përdor si kanal evazioni deri sa vitin e kaluar u hoq.
Ndryshe nga birra dhe karburantet, importet e cigareve kanë pësuar rënie të mprehte në muajt e parë të vitit 2024. Të dhënat nga Ministria e Financave tregojnë se dy-mujorin e parë 2022 u importuan 421 tonë cigare me rënie 22.5 % në krahasim me të njëjtën periudhe të vitit 2023. Importet e cigares prej gati 8 vitesh ndjekin kalanderin e akcizës.
Çdo 1 janar hyn në fuqi rritja e akcizës për këtë produkt. Për të mënjanuar blerjet me akcizë më të lartë, importuesit rrisin importet në muajt e fundit të vitit dhe i ulin në fillim të vitit. Gjithsesi, importet e cigareve nga viti në vit pësojnë luhatje që nuk justifikohen nga konsumi.
Importet e kafesë në dy-mujorin e parë 2024 shënuan ulje vjetore me mbi 9 për qind, por krahasimet tregojnë se ky ishte niveli më i ulët i periudhës që nga viti 2014.
Shoqata e Bareve dhe Restoranteve ka pohuar se, konsumi i kafesë u ul me ikjen e turistëve. Pothuajse të gjitha tregjet e pakicës kanë raportuar dobësi në konsum në dy muajt e parë të vitit, teksa pritet përmirësim pas ardhjes së turistëve./B.Hoxha
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor