Vendosni fjalën kyçe....

Fier, vendosnin baste sportive të paligjshme, në kërkim pronari i një lokali, 5 të proceduar


Policia në Fier ka goditur një rast të aktivitetit ilegal të basteve sportive online. Efektivët e policisë së Fierit kanë proceduar 5 persona në gjendje të lirë për ushtrimin e këtij aktiviteti, ndërsa kanë shpallur në kërkim pronarin e një lokali.

Gjithashtu, është goditur në këtë qytet edhe një rast i armëmbajtjes pa leje.

“Fier/Aksione të përditshme në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, për të zbuluar ambientet e përshtatura për lojëra fati, si dhe për të goditur rastet e armëmbajtjes pa leje.

Zbulohen 2 lokale ku viheshin baste sportive, si dhe goditet një rast i armëmbajtjes pa leje.

Shpallet në kërkim njëri prej pronarëve të lokaleve, procedohen në gjendje të lirë 5 shtetas.

Sekuestrohen 3 makineta, 3 celularë dhe 1 armë zjarri pistoletë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier, nga kontrollet e vazhdueshme në ambiente të ndryshme, të kryera me qëllim goditjen e rasteve të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, kanë konstatuar se në 2 lokale, në lagjen “Apollonia” dhe lagjen “Liri”, Fier viheshin baste sportive.

Në përfundim të veprimeve procedurale për këto raste, u procedua në gjendje të lirë pronari i lokalit në lagjen “Liri”, shtetasi F. K., 64 vjeç, u shpall në kërkim pronari i lokalit tjetër, shtetasi S. M., 33 vjeç. Gjithashtu, u proceduan në gjendje të lirë, pasi u kapën teksa vinin baste sportive në këto lokale, shtetasit Xh. K., 29 vjeç, F. A., 19 vjeç, M. Ç., 25 vjeç.

Po punohet për kapjen e 33-vjeçarit”, njofton policia.