Të gjithë fermerët dhe blegtorët në vend do të mund të përfitojnë nga Skema Kombëtare e Qeverisë për Mbështetjen e Bujqësisë dhe Zhvillimit rural. Nga Tregu i ri Agroushqimor në Farkë, ‘AgroPark Tirana’, i ndërtuar posaçërisht për fermerët, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me ministren e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, prezantuan Skemën Kombëtare 2024, si një mundësi e shkëlqyer për të rritur prodhimin dhe ulur kostot.
Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se ndërtimi i këtij tregu është një tjetër fjalë e mbajtur, që jep garanci edhe për realizimin e investimeve të tjera në këtë sektor.
“Më vjen mirë që jemi sot në një hapësirë të një fjale të mbajtur. Kjo do të thotë se gjasat janë se për sa kohë që jemi në një premtim të mbajtur, qëllimin e kemi 100% të mbajmë edhe premtimet që japim sot, duke filluar nga data 27 mars, kur hapen thirrjet për subvencionime në të gjithë territorin e Republikës, por sigurisht ne të Tiranës do i bëjmë. Gjithmonë e më shumë, jo vetëm kufijtë e qytetit, por edhe ekonomia e qytetit, do identifikohet me njerëzit e punës”, tha Veliaj.
Ai u bëri thirrje fermerëve dhe blegtorëve të aplikojnë për të përfituar nga skema kombëtare për mbështetjen. Veliaj siguroi se të gjithaë institucionet do të jenë krah tyre për t’i ndihmuar në procesin e aplikimit.
“Ftesa për të gjithë miqtë tanë fermerë dhe familjet është: duhet të sigurohemi që t’i shpenzojmë këto para, ndaj na duhet një mobilizim jo vetëm nga fermerët, por shoh disa nga administratorët tanë këtu, që mund të na ndihmojnë dhe të punojmë për këtë mision. Pra, jo vetëm ai që realisht punon me tokën, me bletët, me baxhon, me stallën, por të gjithë duhet të shkojmë në katund për t’u siguruar që këto para shkojnë në vendin e duhur”, tha Veliaj.
Gjatë bashkëbisedimit, kreu i Bashkisë ftoi bizneset, por edhe qytetarët, që të blejnë produkte lokale, të cilat ofrojnë jo vetëm cilësi, por ndihmojnë në këtë mënyrë edhe ekonominë vendase.
“Ne jemi tregu më i madh sot në Republikën e Shqipërisë. Kjo do të thotë se kush prodhon në Tiranë është edhe më afër tregut. Ftesa për të gjithë, jo vetëm për ata që shtrojnë iftaret, restorantet, por për çfarëdo lloj sebepi, është të blejnë produkte lokale. Është shumë e rëndësishme që paraja të qarkullojë këtu. Ne i japim kaq shumë rëndësi marketingut për ta çuar jashtë, ndonjëherë harrojmë për të bërë marketing këtu brenda. Të gjithë e dimë se pjesa më e madhe e këtyre produkteve që vijnë nga jashtë, mund të kenë ngrirë nëpër frigoriferë, nga Brazili e nga Argjentina. Nuk jam këtu që të bëj reklamë kundër tyre, jam këtu që të bëj reklamë pro nesh dhe produkteve tona, ndaj ftesa për të gjithë është: Mall vendi, mall cilësore, dhe një para që shumohet këtu. Paraja shumëfishohet kur rri brenda ekonomisë”, nënvizoi Veliaj.
Për të ndihmuar ekonominë bujqësore dhe blegtorale, Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim dhe me aktorë të tjerë, do të nisë edhe një fushatë promovimi në gjithë territorin.
“Duam të fillojmë edhe një stinë promovimi. Do të kemi panaire, aktivitete të ndryshme, gjërat janë mirë, por gjërat mund të jenë gjithmonë e më mirë. Ndaj, ambicia jonë është t’i bëjmë vërtet hyzmetin edhe pjesës së marketingut, që njerëzit njihen me produktet, por edhe pjesës së pakicës. Ne duhet ta zhdërvjelltësojmë tregun dhe të jetë 24 orë, si palestrat nëpër shkolla. Me të njëjtën logjikë që ne nuk i lëmë bosh palestrat dhe asetet e bashkisë, edhe ky aset nuk duhet të bjerë në letargji, prej faktit që mbaroi shitja e shumicës në mëngjes. Ne duhet të gjejmë mënyra të tjera për ta përdorur gjatë ditës, për të pasur sa më shumë aktivitete, sa më shumë promovime”, theksoi Veliaj.
Ministrja e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural, Anila Denaj u shpreh se bashkimi i operatorëve sot është jo vetëm një kërkesë e tregut, por edhe një kërkesë e sigurisë ushqimore. Ajo shprehu bindjen se me rritjen e numrit rekord të turistëve, edhe nevojat për konsum brenda vendit do të rriten, duke sjellë më shumë të ardhura për blegtorët dhe fermerët.
“Nuk ka mundësi që të vazhdojmë të rrimë të vegjël. E kur flasim ne, nuk flasim secili nga ne, por duhet të kuptojmë që në një zonë të caktuar, aty ku potenciali është për t’u bashkuar dhe jo për t’ju kthyer kooperativave, sepse në një farë mënyre të gjithë mendojnë zonja ministre po na sjell prapë kooperativat. Ndoshta është një fjalë që duam ta harrojmë edhe pse disa nëpërmjet bashkimit të shoqërive bujqësor ia kanë parë hajrin, por le të themi që ajo që po kërkojmë sot te Skema është një bashkim intresash, jo pronash. E kështu dua të heq çdo frikë, çdo ndrojtje”, tha ajo.
Ministrja shtoi kur të fillojnë aplikimet në datë 27 mars, 5-6 blegtorë apo fermerë, të cilët kanë më pak se 1 ha tokë, qoftë serra apo produkte në fushë, mund të bëhen bashkë dhe të firmosin një marrëveshje interesi.
“Bashkimi i operatorëve sot, jo vetëm është një kërkesë e tregut, por është një kërkesë e skemës. Kemi disa halle që nuk i tejkalojmë dot menjëherë, siç është fragmentarizimi i tokës. Ne nuk mund të themi dot sot që kemi për çdo fermer sipërfaqe të mëdha me hektarë. Ne flasim për 1ha për fermerë. Çfarë do të thotë kjo? Që ka edhe të tjerë që kanë më pak. Ka serra, të cilat janë gjysmënhektari. Arrijmë dot ne të automatizojmë proceset bujqësore? Arrijmë dot ne të investojmë të gjithë protokollet bujqësore për një produkt që kërkon jo vetëm tregu i jashtëm, por edhe ata që po vijnë tani në këtë vit, besoj që do arrijnë 14 milionë turistë. Kërkohet cilësi, por cilësia për mua si ekonomiste është të mprehësh lapsin dhe të vendosësh që kostot të jenë oportune për sipërfaqe më të mëdha, për produkte prodhimi më të mëdha“, u shpreh Denaj.
Ministrja gjithashtu bëri me dije se tashmë po finalizohet nisma edhe për lehtësimin e dhënies së lejeve të ndërtimit në zonat rurale, çka do të ndikojë në zhvillimin e tyre. Ndërkaq, Tregu AgroPark Tirana i ndërtuar nga Bashkia e Tiranës pritet të sjellë fitime më të larta të fermerëve falë çmimeve më të ulëta të qiradhënies, si dhe çmime më të lira për konsumatorin.