Vendosni fjalën kyçe....

Bardhi në Dibër: ‘Rruga e Arbrit’ gjysmë e shkatërruar, paratë shkojnë te xhepat e ministrave dhe drejtorëve


Nga Dibra, nënkryetari i Rithemelimit Gazment Bardhi sulmoi qeverinë duke akuzuar se me paratë e korrupsionit janë blerë votat e shqiptarëve. Ai tha se qytetarët janë harruar ndërsa keq-qeverisja ka bërë që të braktiset vendi.

Bardhi u ndal edhe në bashkimin me Rithemelimin, ndërsa tha se janë gati për t’u përballur me zgjedhjet e 2025-ës.

“Një tjetër leksion që kemi marrë nga Dibra dhe u përpoqëm që ta bëjmë realitet, ishte nevoja për bashkim. Sa herë që keni qenë të bashkuar, e keni mundur PS. Lajmi i mirë për demokratët e Dibrës dhe të gjithë demokratëve në mbarë Shqipërinë, është që pas 2 vitesh, PD është më e bashkuar dhe më e fortë, gati për t’u përballur me betejën për zgjedhjen e 2025-ës. 

Nëse do të shihni qeverisjen e Ramës, shikoni Rrugën e Arbrit. Rruga është gjysmë e shkatërruar, dhe e painuguruar. Paratë shkojnë te xhepat e ministrave dhe drejtorëve, që më pas me paratë e korrupsionit, vinë dhe blejnë qytetarët”, tha Bardhi.

Në takim ishte edhe nënkryetari Agron Gjekmarkaj, i cili tha se sot janë më të bashkuar se kurrë, pasi kanë tejkaluar krizat.

“Vijmë pas një ngjarje të madhe që ka ndodhur në Tiranë dhe në mbarë Shqipërinë, pasi opozita ishte në konfuzion, më e rrezikuar se kurrë. Nuk ka pasur kaq shumë armiq se këtë herë. Por PD ia ka dalë të emancipojë vetveten duke tejkaluar krizën. Themeluesi i saj është i burgosur. 

Ne jemi partia e lirisë, pasi liria është cunguar. Tregu është zaptuar nga 4 vetë. Ne jemi partia e NATO-s dhe lëvizjes së lirë, por sot vendi është shkretuar. Rruga për të ardhur këtu e sheh se sa keq është situata, siç është Rruga e Arbrit. Prej 12 vitesh Shqipëria po humbet institucionet e veta dhe po kthehet në Vilajet. 

PD po rritet sepse ajo është e rrethuar nga dashuria juaj, ushqehet nga mbështetja dhe shpresa. Jam i sigurt se në betejat që po afrojnë, përsëri do të marrim lajmin e fitores nga Dibra. Duhet të ikë Edi Rama dhe të rrinë shqiptarët.”, tha ai.