Lulzim Basha ka hedhur akuzat mbi Rithemelimin dhe Partinw Socialiste, duke i quajtur ata “aktorë të një teatri politik” që pretendojnë se zihen mes tyre, por në fakt janë të gatshëm për pazare dhe marrëveshje që shkelin interesat e qytetarëve.
Deklaratat e fundit të Bashës nga Lushnja përshkojnë një periudhë 6-mujore ku pretendohet se ka pasur një lojë të shtrembër politike për të mbuluar marrëveshje të dyshimta.
Në këtë kornizë, Basha akuzon qeverinë për mungesën e transparencës dhe fshehjen e një pazari në Kuvendin e Shqipërisë. Në vend që të arrinte diçka pozitive për vendin, thuhet se u arrit një ligj i ri për komisionet hetimore që rrezikon të zhbëjë transparencën dhe të ndalojë aftësinë e opozitës për të mbledhur fakte. Kritikat shkojnë deri në të thënë se u humbën të drejta parlamentare dhe publike që i takonin opozitës.
Duke u përqendruar te komisioni hetimor për sterilizimin, Basha bëri thirrje për transparencë, duke vënë në pikëpyetje nevojën e këtij hetimi pasi prokuroria tashmë ka nxjerrë akuzat për këtë rast. Akuzohen veprimet qeveritare për të parandaluar zërin e opozitës për 6 muaj, duke e mbajtur atë jashtë debatit dhe vendimmarrjes.
Gjatë kësaj periudhe, Basha tha se qeveria ka përfituar për të kaluar vendime të ndjeshme, duke shfrytëzuar paaftësinë e opozitës për të reaguar. Basha argumenton se kjo është pasojë e mungesës së hapësirës dhe zërit opozitar në parlament për 6 muaj, duke e konsideruar atë si një mënyrë për të penguar debatin dhe për të kaluar vendime të rëndësishme pa kundërshtim.
Basha nuk mohon se ka pasur dëshirë për të ngritur këto çështje në parlament, por thotë se është penguar nga “fryrësit e bilbilave” që kishin interesa personale për të arritur marrëveshje politike.
Sipas Bashws kasta politike kontrollon ligjin zgjedhor dhe mban në fuqi listat e mbyllura si mënyrë për të kontrolluar pushtetin.
“Sot partia Demokratike qëndron përballë një kaste politike që bën sikur zihet me njëri-tjetrin, por pas 6 muajsh teatër, është e gatshme të arrijë pazare, marrëveshje, për interesat e tyre, kundër interesave të shqiptarëve. I tillë është pazari që kanë bërë. Ndaj edhe javën që shkoi donin të mbysin transparencën dhe denoncimin e këtij pazari në Kuvendin e Shqipërisë, natyrisht që nuk ia dolën. Ky është një pazar që mundohet të fshehë gjërat më të thjeshta dhe më të kuptueshme nga çdo shqiptar. 6 muaj pseudo revolucion me flakadanë! Çfarë u arrit?
U arrit një ligj i ri për komisionet hetimore që është 10 herë më i keq se ligji i mëparshëm dhe që zhduk transparencën, zhduk aftësinë e opozitës për të mbledhur fakte e dokumenta, për të detyruar dëshmitarët e për ta bërë këtë në mënyrë transparente. Pra, jo vetëm që nuk u arrit diçka pozitive, por u humbën të drejta parlamentare, të drejta opozitare, të drejta publike që opozita i kishte. U kërkuan 8 komisione, u morën dy dhe populli me të drejtë thotë: ua bëri 8 me 2. Një prej atyre komisioneve është sa për sy e faqe, sepse siç e dini fare mirë, si mund të kërkohet një hetim parlamentar për sterilizimin, ndërkohë ministri i shëndetësisë së kohës së sterilizimit u mor i pandehur në fillim të javës nga SPAK, me një akuzë e cila rrezikon të shkojë deri në 4 vite burg. Atëherë për çfarë e kërkon komisionin hetimor kur prokuroria i mbaroi hetimet?
Sigurisht nuk ka transparencë, ka një lojë, ka një balet të palëve për të fshehur të vërtetën. Po të lexosh dokumentet është e qartë se ia ashtu quajturi komision I transparencës për sterilizimin, do merret me masa administrative dhe ndryshime ligjore. Pra ndërkohë që SPAK do ta fusë në burg Ilir Beqën për vjedhjen e sterilizimit, këta do të merren me masa administrative, që do të thotë se maksimumi do të propozojnë gjoba?!
Dëmi tjetër shtrihet në mungesën totale të hapësirës dhe zërit opozitar për 6 muaj.
I binin bilbilave për të penguar zërin e opozitës sepse qeverinë nuk e pengonin dot. Qeveria kalonte për 3,4 apo 5, maksimumi 7 minuta. Për 4 minuta e 50 sekonda miratuan buxhetin 7 miliardë euro taksa që po i merren dhe do ti merren shqiptarëve për tu shpenzuar siç do Edi Rama dhe qeveria e tij e korruptuar.
Po a pati mundësi PD ta ngrinte këtë çështje në Parlament?! Sigurisht që jo sepse bilbilfryrësit nuk e kishin mendjen këtu. Ata e kishin mendjen si e si të arrinin një marrëveshje për veten e tyre, për karriget e tyre dhe kjo është një akuzë që nuk e bëj lehtësisht, por që ju vetë e keni parë se cili është motivi i vërtetë. Motivi i vërtetë është mbajta në fuqi të Kodit zgjedhor siç është me lista të mbyllura”-deklaroi Basha.