Vendosni fjalën kyçe....

Tiranë, sekuestrohet një armë zjarri dhe municion luftarak, arrestohen babë e bir 


Babë e bir në Vaqarr të Tiranës kanë rënë në pranga, pasi mbanin në banesë kallashnikov. Fillimisht policia ka ushtruar kontroll ndaj 21-vjeçarit Klaos Haldeda, të cilit i është gjetur me vetre një thikë.

Më tej policia ka ushtruar kontrolle në banesën e tyre në Vaqarr ku edhe ka gjetur kallashnikovin, si edhe sasi municioni luftarak.

Policia ka arrestuar babë e bir, Klaos Haldeda, 21 vjeç, dhe Ismet Haldeda, 42 vjeç.

NJOFTIMI I POLICISE

Në zbatim të masave të planit operacional “Sundimi i ligjit”, për goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, u finalizua operacioni policor i koduar “Home”. Operacioni u zhvillua nga Komisariati i Policisë Nr. 6. Sekuestrohen një armë zjarri, municion luftarak dhe një mjet prerës thikë, vihen në pranga babë e bir, Klaos Haldeda dhe Ismet Haldeda.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 në vijim të zbatimit të masave të caktuara në planin operacional “Sundimi i ligjit”, bazuar në informacionet e siguruara për një rast armëmbajtjeje pa leje, kanë organizuar dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Home”.

Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi i shtetasve K. H., 21 vjeç, dhe I. H., 42 vjeç, (babë e bir), të dy banues në Vaqarr.

Shtetasit K. H., gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë, i gjetën një mjet prerës thikë, dhe në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të banesës së babait të tij, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri dhe sasi municioni luftarak. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.