Vendosni fjalën kyçe....

Bardhi kërkesë Kuvendit: Zbatoni vendimin e Kushtetueses, po mbroni Olta Xhaçkën dhe po pengoni drejtësinë


Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi i është drejtuar sot zyrtarisht Kuvendit që të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për mandatin e Olta Xhaçkës, i cili nuk zbatohet prej 1 viti e dy muaj.

Sipas Bardhit pengimi i zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rastin e mandatit të deputetes Olta Xhacka, vjen pas evidentimit të qartë të faktit se familja e saj ka përfituar statusin e investitorit strategjik me firmë të Kryeministrit Edi Rama, epror i saj, në kushtet flagrante të shkeljes së ligjit dhe konfliktit të interesit. 

“Ky rast merr përmasat e një mbrojtjeje të pastër politike dhe pengimit të drejtësisë, po të mbahen në konsideratë edhe të dhënat e reja të hetuara dhe bëra publike nga SPAK, nga ku ka rezultuar se pronësia mbi tokën është përfituar me dokumenta tërësisht të falsifikuara duke bërë të mundur që një tokë bujqësore, me një sipërfaqe në total prej 10.592 m2, e ndodhur në Dhërmi/Vlorë, në pronësi shtet, të tjetërsohet përmes transaksioneve tek të tretët në favor të subjektit privat në pronësi të bashkëshortit të deputetes Olta Xhacka, duke zhveshur shtetin nga pronësia mbi të dhe duke përfituar me dokumente të falsifikuara statusin e investitorit strategjik nga Kryeministri Edi Rama dhe të drejtën për të zhvilluar një projekt me vlerë 5 milion euro në fushën e turizmit.” – shkruan Bardhi.

Nisur nga kjo Bardhi e konsideruar të papranueshme mbrojtjen politike dhe pengimin ndaj drejtësisë që mazhoranca po bën për rastin e ish-ministres dhe deputetes Olta Xhaçka, duke penguar zbatimin prej 1 viti e 2 muaj të vendimit nr. 1/2023 të Gjykatës Kushtetuese, dhe ka kërkuar zbatimin e këtij vendimi dhe thirrjen e mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve për ta përfshirë në seancën më të afërt plenare dërgimin e çështjes së mandatit të deputetes Olta Xhaçka për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

Në shkresën drejtuar Kryetares së Kuvendit dhe për dijeni përfaqësive diplomatike në vendin tonë, Bardhi rikujton se përfitimi i pronave me dokumente të falsifikuara nga investitorët strategjik është një rast i përsëritur. 

“Ky është rasti i dytë i evidentuar në pak kohë, ku shtetit i grabiten me dokumente të falsifikuara pronësia në bregdet, për t’ia kaluar miqve apo bashkëpunëtorëve të Kryeministrit Edi Rama. Kujtojmë këtu se në një situata identike 390 mijë metra tokë në pronësi të shtetit në plazhin e Velipojës, u përfituan përmes falsifikimeve nga miku i Kryeministrit Edi Rama, shtetasi i arrestuar si pjesëmarrës në krimin e organizuar Pëllumb Gjoka, dhe ku më pas Kryeministri Edi Rama i miratoi një projekt investimi strategjik me vlerë 52 milion euro.” – shkruan Bardhi.

Në shkresën e Grupit Parlamentar të PD theksohet se Kuvendi duhet të përmbush detyrimet e tij, ndërkohë që presin nga SPAK që të hetojë në mënyrë të plotë dhe të gjithëanshme sesi këto dy subjekte private (Artan Gaçi dhe Pëllumb Gjoka), me lidhje të ngushta me Qeverinë, përmes dokumenteve të falsifikuara kanë kaluar filtrat e kontrollit të ekzekutivit dhe kanë përfituar statusin e investitorit strategjik, duke evidentuar qartë rolin e Kryeministrit dhe të cilido tjetër që është përfshirë në këto raste.

Në fund, Bardhi thekson se “çdo vonesë e mëtejshme e kësaj çështje do të ishte dhunimi më flagrant që Kuvendi i ka bërë Kushtetutës në 33 vjet, si dhe një mesazh i qartë i vullnetit politik të mazhorancës socialiste për çimentimin e kulturës së pandëshkueshmërisë, përmes ofrimit të mbrojtjes politike ndaj deputetëve të mazhorancës dhe pengimit të zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetutes, institucion i dalë pas Reformës në Drejtësi dhe pjesë e asaj që sa herë i duhet për propagandë Kryeministrit”, e cilëson si “drejtësia e re”.

Më poshtë shkresa e plotë drejtuar Kuvendit dhe për dijeni trupit diplomatik:

foto galeri