Vendosni fjalën kyçe....

Durrës, kryenin qitje me armë zjarri gjatë natës dhe postonin video në TikTok, në pranga 6 të rinj


Policia e Durrësit ka arrestuar 6 persona pasi akuzohen se me një kallashnikov pa leje, kryenin gjatë natës qitje dhe postonin videot në TikTok.

Burime zyrtare nga policia bënë me dije se pas hekurave ranë shtetasit me inicialet Nj. S., 56 vjeç dhe M. S., 19 vjeç, babë e bir, të dy banues në fshatin Rrushkull, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe shtetasit me inicialet K. P., 19 vjeç, K. J., 20 vjeç, A. T., 18 vjeç, A. H., 19 vjeç dhe E. T., 19 vjeç, të gjithë banues në Tiranë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Gjatë operacionit u gjet arma e zjarrit kallashnikov me të cilën të rinjtë kryenin qitje. Policia gjeti dhe sekuestroi në banesën e tyre një armë zjarri pushkë dhe municion luftarak. Së bashku me armët, u sekuestruan 2 automjetet me të cilat lëviznin këta shtetas, si dhe 8 celularë.

NJOFTIMI I POLICISE

Mbanin armë zjarri (kallashnikov) pa leje dhe kryenin qitje gjatë natës, me qëllim postimin e videove në TikTok, vihen në pranga 6 shtetas dhe procedohet penalisht 1 i mitur. Në pranga dhe babai i njërit prej të arrestuarve, pasi në banesë iu gjet një tjetër armë zjarri (pushkë).

Sekuestrohen 2 armët e zjarrit, 2 krehra, rreth 500 fishekë luftarak, 8 celularë dhe 2 automjete. Në kuadër të zbatimit të planit të masave të përcaktuara në planin operacional kombëtar të koduar “Sundimi i ligjit”, bazuar në inteligjencën policore, si dhe pas monitorimit të vazhdueshëm të rrjeteve sociale, ku disa të rinj postonin video në të cilat shfaqeshin duke kryer qitje me armë zjarri, gjatë natës, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Qitësit”.

Gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit:

   •Nj. S., 56 vjeç dhe M. S., 19 vjeç, babë e bir, të dy banues në fshatin Rrushkull, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit “;

  • K. P., 19 vjeç, K. J., 20 vjeç, A. T., 18 vjeç, A. H., 19 vjeç dhe E. T., 19 vjeç, të gjithë banues në Tiranë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Gjithashtu, në vijim të operacionit, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për një 17-vjeçar, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. 7 të rinjtë e arrestuar/proceduar u kapën në flagrancë pas sigurimit të informacionit, se ata po përgatiteshin për të qëlluar në kodrën e fshatit Hamallaj, me armë zjarri që i posedonin pa leje, me qëllim postimin e videove në rrjetin social “TikTok”.

Gjatë operacionit u gjet arma e zjarrit kallashnikov me të cilën të rinjtë kryenin qitje. Në vijim, gjatë kontrollit në banesën e shtetasve Nj. S. dhe M. S., ku u kap 56-vjeçari, Policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri pushkë dhe municion luftarak. Së bashku me armët, u sekuestruan 2 automjetet me të cilat lëviznin këta shtetas, si dhe 8 celularë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.