Ministri i Jashtëm izraelit ka thirrur të dërguarin turk “për një qortim serioz” për sulmin verbal të presidentit Erdogan ndaj kryeministrit izraelit Netanyahu.
Tensionet diplomatike midis vendeve janë përshkallëzuar që nga shpërthimi i luftës Hamas-Izrael vitin e kaluar. Udhëheqësi turk ka qenë ndër kritikët më të ashpër të Izraelit për luftën në Gaza.
Në një postim në X të premten, kryediplomati izraelit tha se ai kishte udhëzuar zyrtarët e Ministrisë së Jashtme “të thërrasin zëvendësambasadorin turk në Izrael” pas “kërcënimeve të fundit të Erdoganit për të dërguar kryeministrin Netanyahu tek Allahu”. Turqia tërhoqi ambasadorin e saj nga Izraeli nëntorin e kaluar, në shenjë proteste ndaj bombardimeve të Gazës nga Izraeli.
“Ju që përkrahni djegien e foshnjave, vrasësit, përdhunuesit dhe gjymtimin e kufomave nga kriminelët e Hamasit, jeni i fundit që mund të flisni për Zotin”, tha Israel Katz.
“Nuk ka Zot që do t’i dëgjojë ata që mbështesin mizoritë dhe krimet kundër njerëzimit të kryera nga miqtë tuaj barbarë të Hamasit.”
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme turke Oncu Keceli u përgjigj duke thënë: “Turqia do vazhdojë të flasë të vërtetën dhe të sjellë në axhendën globale persekutimin e papërshkrueshëm të popullit palestinez”.
“Krimet e kryera nga Izraeli në Gaza gjatë gjashtë muajve të fundit nuk mund të fshihen më dhe Izraeli po gjykohet për gjenocid”, shkroi zyrtari në një postim në mediat sociale.
Të enjten, duke folur në një tubim elektoral, Erdogan tha: “Ne ia lëmë personin e njohur si Netanyahu Zoti tonë të quajtur Al-Qahhar”, duke iu referuar Allahut me një nga 99 emrat e tij. “Zoti ynë le ta shkatërrojë atë.”
Të dy vendet kanë qenë në mosmarrëveshje që kur Izraeli i shpalli luftë Hamasit në tetor në përgjigje të sulmit terrorist nga grupi militant, në të cilin u vranë rreth 1200 njerëz dhe më shumë se 200 u morën peng. Bombardimet hakmarrëse të Gazës dhe operacioni tokësor kanë shkaktuar vdekjen e të paktën 32,000 njerëzve, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të territorit.
Udhëheqësi turk e ka krahasuar vazhdimisht kryeministrin izraelit me Adolf Hitlerin dhe ka akuzuar Izraelin për kryerjen e “gjenocidit” kundër palestinezëve në Gaza. Izraeli, ndërkohë, ka pohuar se presidenti turk renditet ndër antisemitët më të këqij në histori, për shkak të qëndrimit të tij ndaj konfliktit dhe mbështetjes për Hamasin.