Vendosni fjalën kyçe....

Kërcënimi në rritje nga Kina, SHBA-ja e Japonia planifikojnë marrëveshjen më të madhe të sigurisë në 60 vjet


SHBA dhe Japonia po planifikojnë përmirësimin më të madh të aleancës së tyre të sigurisë që kur nënshkruan traktatin e mbrojtjes së ndërsjellë në vitin 1960, në një lëvizje për të përballuar kërcënimin në rritje të Kinës.

Presidenti amerikan Biden dhe kryeministri japonez Fumio Kishida do njoftojnë planet për të ristrukturuar komandën ushtarake amerikane në Japoni duke forcuar planifikimin operacional dhe stërvitjet midis kombeve, sipas pesë personave të njohur me planet.

Ata do e zbulojnë planin kur Biden të presë Kishidan në Shtëpinë e Bardhë më 10 prill.

Kërcënimi në rritje i Kinës

Aleatët duan të forcojnë lidhjet e tyre të sigurisë për t’iu përgjigjur asaj që ata e shohin si një kërcënim në rritje nga Kina, gjë që kërkon nga ushtritë e tyre të bashkëpunojnë dhe të planifikojnë më mirë, veçanërisht në një krizë të mundshme si një luftë në Tajvan.

Ndërsa Biden e Kishida do lajmërojnë fuqinë e aleancës SHBA-Japoni, samiti vjen vetëm disa javë pasi presidenti amerikan shprehu kundërshtimin e tij ndaj synimit të grupit japonez “Nippon Steel” për të blerë “US Steel”.

Ndërhyrja ishte projektuar për të rritur mbështetjen e sindikatave përpara zgjedhjeve të nëntorit, por ka dëmtuar pjesërisht aleancën e fortë mes dy vendeve.

Bashkërendimi mes aleatëve u pengua

Japonia gjatë dy viteve të fundit ka rritur në mënyrë të vrullshme aftësitë e saj të sigurisë, duke shpenzuar shumë më tepër në mbrojtje, përfshirë planet për të blerë raketa lundruese amerikane “Tomahaëk”.

Ushtria japoneze po ngre gjithashtu një “komandë operacionesh të përbashkëta” vitin e ardhshëm për të përmirësuar bashkërendimin midis degëve të Forcave të saj të Vetëmbrojtjes.

Por bashkërendimi midis aleatëve është penguar sepse Forcat Amerikane të Japonisë (USFJ) kanë ndryshuar pak nga ditët kur ushtritë amerikane dhe japoneze bënin më shumë veprimtari së bashku dhe ka pak autoritet komandimi dhe kontrolli.

Japonia duhet të merret më shumë me komandën amerikane të Indo-Paqësorit në Haëaii, e cila është 19 orë pas Tokios dhe 6200 kilometra larg.

“Politika e re e sigurisë kombëtare e Japonisë është zhvillimi më pozitiv i sigurisë në Azinë Lindore në këtë shekull,” tha Philip Davidson, i cili doli në pension si komandant Indo-Paqësor në 2021.

“Njohja se strategjitë e mbrojtjes së dy kombeve tona janë konverguar, bën përmirësim në komandën dhe kontrollin tonë të përditshëm e hapin e ardhshëm logjik.”

Shtytje për autoritet operacional

Tokio i ka kërkuar prej kohësh SHBA-së që t’i japë komandantit të Forcave Amerikane të Japonisë (USFJ) më shumë autoritet operacional, duke thënë se nevojitet një bashkërendim më i ngushtë në terren.

Një katalizator ishte tërmeti dhe cunami i vitit 2011, kur trupat amerikane dhe japoneze kryen një operacion të përbashkët shpëtimi.

Edhe pse ishte një sukses, Ryoichi Oriki, në atë kohë shefi i shtabit të përbashkët të SDF-së së Japonisë, tha se ishte e papërshtatshme që të bashkërendohej me komandën Indo-Paqësor në Haëaii dhe jo me komandantin e USFJ, homologun e tij të përditshëm.

Tokio thotë se ka një nevojë të menjëhershme për të vendosur një oficer më të lartë amerikan në Japoni, pasi ajo merr një rol më të madh të mbrojtjes rajonale.

“I dërgon një sinjal të fortë strategjik Kinës dhe Koresë së Veriut dhe është kuptimplotë nga pikëpamja e parandalimit të thuhet se SHBA-ja do forcojë strukturën komanduese në Japoni,” tha Oriki për Financial Times.

Flota amerikane e Paqësorit

Një model që administrata Biden po shqyrton, përfshin krijimin e një task force të re të përbashkët ushtarake amerikane që do t’i bashkëngjitet Flotës së Paqësorit të SHBA-së, një nga komandat përbërëse në Indo-Paqësor në Haëaii.

Komandanti me katër yje i flotës do kalonte më shumë kohë në Japoni sesa kalon tani dhe do kishte një strukturë të zgjeruar mbështetëse në vend.

Me kalimin e kohës, grupi i punës, që do përfshinte pjesë të ndryshme të ushtrisë amerikane, do zhvendosej në Japoni.

Christopher Johnstone, një ish-zyrtar i lartë i Pentagonit dhe CIA-s, tha se përmirësimi i komandës amerikane do ishte një “hap i madh në ndërtimin e një aleance ushtarake dypalëshe më të besueshme”.

“Bashkëvendosja e këtyre komandave, të paktën pjesërisht, do e afronte aleancën SHBA-Japoni më pranë mantrës së aleancës së SHBA-së me Korenë e Jugut, më e përgjegjshme dhe e besueshme në përgjigjen ndaj kërcënimeve rajonale,” tha Johnstone, zyrtar në institutin e mendimit CSIS.

“Kjo do jepte një kontribut të madh për parandalimin në rajon.”

James Schoff, një ekspert i aleancës SHBA-Japoni në Fondacionin e Paqes “Sasakaëa USA”, tha se dy aleatët duhet të forcojnë dhe qartësojnë marrëdhëniet e udhëheqjes dhe ato operacionale për planifikimin si në kohë paqeje, ashtu edhe në kohë krize.

“Udhëheqja e SHBA-së mund të ‘udhëtojë’ nga Haëaii në Japoni për këtë në kohë paqeje, por atyre do t’u duhet një lloj stafi i përbashkët me kohë të plotë me bazë në Japoni për të planifikuar, lehtësuar dhe ndërtuar besimin me homologët japonezë për një grup praktik të misioneve dypalëshe.” – tha Schoff.

Njerëz të njohur me situatën paralajmëruan se mund të konsideroheshin edhe modele të tjera, duke përfshirë mundësinë e përmirësimit të USFJ.

Pentagoni do të duhet të marrë ndonjë vendim, përfshirë idenë e grupit të punës, që u propozua nga Admirali John Aquilino, komandanti Indo-Paqësor.

Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin gjithashtu dëshiron t’i japë Admiralit Samuel Paparo, i cili do pasojë Admiralin Aquilino në maj, një mundësi për ta peshuar këtë pasi të marrë rolin.

Ministrat e Jashtëm dhe të Mbrojtjes së SHBA-së dhe Japonisë pritet të diskutojnë gjithashtu këtë çështje së bashku më vonë këtë vit.

Shtëpia e Bardhë, Pentagoni dhe Indo-Pacom nuk pranuan të komentojnë. Qeveria japoneze gjithashtu nuk komentoi.

Cilido model të zgjidhet do jetë i ndërlikuar për shkak të pyetjeve rreth burimeve dhe infrastrukturës dhe çështjeve që lidhen me hierarkinë ushtarake. Ndoshta do ketë edhe beteja në terren midis shërbimeve të ndryshme në ushtrinë amerikane.

Tokio ka kërkuar një komandant amerikan me katër yje në Japoni. Por ideja përballet me kundërshti, përfshirë edhe në Capitol Hill.

Jack Reed, kreu demokrat i komitetit të shërbimeve të armatosura të Senatit, i tha së fundmi një grupi të mbrojtjes se Admirali Aquilino kishte bërë një punë “të shkëlqyer” në kontaktin e tij me japonezët dhe se struktura aktuale ishte “e përshtatshme”.

I pyetur nga FT nëse një oficer me katër yje ishte i nevojshëm në Japoni, Reed shtoi: “Ndoshta në të ardhmen, por tani për tani mendoj se ne kemi strukturën komanduese në vend për të kryer një përgjigje efektive.”

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e AFR

*Ky shkrim u publikua së pari në Financial Times

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani