Vendosni fjalën kyçe....

Përplasje në mbledhjen e Komisionit Hetimor për Shëndetësinë, Ndreca-Vokshit: Vazhdoni konferencën ju, po ikim ne


Ka nisur mbledhja e Komisionit Hetimor për koncesionet në Shëndetësi, Chek up dhe Sterilizimi. Mbledhja nisi me debate mes kryetares së opozitës, Albana Vokshi dhe nënkryetarit Plarent Ndreca.

Vokshi tha se këto dy komisione janë abuzive, ndërsa Ndreca kërkoi që mos të bëhen deklarata partiake por të zbatohet Kushtetua, pasi janë mbledhur për të hetuar dhe s’mund të dalin në konkluzione pa mbaruar punën.

Vokshi: Shihet si një mjet për të nxjerr në pah situatën ku ndodhet sektori shëndetësisë. Situata sipas denoncimeve është e rënduar me mungesa në barna, kura, pa mundësi për të bërë dhe analiza e ndërhyrje kirurgjikale në disa raste. Shqiptarët paguajnë rreth 60% të shërbimit shëndetësor nga xhepi. 

Po i them se shqiptarët nuk po e marrin më shërbimin shëndetësor në publik, nuk mundet ta marrin për shkak të 4 koncesioneve që janë dhënë dhe janë kthyer në gropa të zeza. Arrijnë vlerën 200 mln euro, nëse i referohemi dy kontratave të firmosura.

Ndreca: Të ikim ne dhe vazhdoni konferencën. Të ikim ne

Vokshi: Të lutem mbylle. Nëse do ta nisni kështu…

Ndreca: A jemi mbledhur për të konstituar.

Vokshi: Po shpjegoj për publikun ca është ky komision, pse është mbledhur dhe çfarë të trajtojë. Mos u shqetësoni

Ndreca: Nuk shqetësohem, t’i mund ta bësh çdo herë.

Vokshi: Mos më ndërhyni pa filluar mirë komisioni. Po informoj ca është dhe do kaloj direkt te rendi i ditës.

Vokshi: Vlera e dy koncesioneve kalon 200 mln euro. Si nga check up dhe sterilizimi, nga gjithë qytetarët, ekspertët është dëshmuar se kanë qenë të panevojshme dhe abuzuese. Është korrupsion në nivelet më të larta të qeverisë. Uroj të mos bëheni mburojë e këtij korrupsioni dhe të përdorini kartonët tuaj kundër interesit publik.

Ndreca: Referuar deklaratave del e qartë që ju keni paragjykuar veprimtarinë, nëse ju vijoni më tutje të konkludoni pa filluar puna e komisionit, keni fyer parim kushtetues mos paragjykimin e një çështje që është arsyeja përse ne jemi ngritur për te hetuar. 

Nëse vijojmë me deklarata partiake ndërkohë që ne jemi këtu për të kryer një proces të rregull ligjor, e kemi nisur me këmbë jo të ndarë. Ju lutem respektoni parimet kushtetuese.

Komisioni Hetimor për Shëndetësinë u ngrit me 95 vota pro të enjten e kaluar në parlament, 71 prej të cilave nga PS dhe vetëm 24 nga pala kërkuese, opozita.

Mes 45 deputetëve që nuk votuan ngritjen e komisionit përveç 20 të Rithemelimit ishin edhe deputetët e Bashës ligjvënësit e PDIU, Partisë së Lirisë dhe aleatët e partive të djathtë.

Komisioni Hetimor për shëndetësinë përbëhet nga 15 anëtarë, 7 nga Rithemelimi dhe 8 nga maxhoranca, që përbri kryetares opozitare Albana Vokshit, i kanë besuar nënkryetarin ligjvënësit më të ri socialist Plarent Ndrecës.

Bashkë me Komisionin Hetimor për koncesionet në shëndetësi është ngritur edhe ai për sistemin TIMS që do të drejtohet nga Ervin Salianji. Këto dy komisione u ngritën në këmbim të kthimit të punimeve normale të parlamentit, që Rithemelimi e mbante në kaos prej tetorit.

Anëtarët e Komisionit Hetimor për PPP në Shëndetësi

  1- Albana Vokshi Kryetar PD

  2- Plarent Ndreca Nënkryetar PS

  3- Klodiana Spahiu Anëtar PS

  4- Milva Ekonomi Anëtar PS

  5- Ilirjan Pendavinji Anëtar PS

  6- Ilir Metaj Anëtar PS  

  7- Edona Bilali Anëtar PS

  8- Petro Koçi Anëtar PS

  9-Klevis Xhoxhi Anëtar PS

10- Zheni Gjergji Anëtar Rithemelimi

11- Ina Zhupa Anëtar Rithemelimi

12- Edmond Spaho Anëtar Rithemelimi

13- Saimir Korreshi Anëtar Rithemelimi

14- Xhelal Mziu Anëtar Rithemelimi

15- Petrit Vasili Anëtar Rithemelimi

Anëtarët Zëvendësues

  1- Lavdrim Krashi Anëtar zëvendësues PS

  2- Mirela Pitushi Anëtar zëvendësues PS

  3- Emilia Koliqi Anëtar zëvendësues Rithemelimi

  4- Ilda Dhori Anëtar zëvendësues Rithemelimi