Vendosni fjalën kyçe....

Të ardhurat neto nga turizmi u rritën me 72% vitin e kaluar, arritën vlerën rekord të 1.84 miliardë eurove


38% e punonjësve të tregtisë dhe 30% në aktivitetet e pasurive të paluajtshme nuk morën pagë më 2022

Të ardhurat neto të ekonomisë shqiptare nga turizmi vitin e kaluar arritën vlerën e 1.8 miliardë eurove, duke vendosur një rekord historik, me diferencë të madhe nga vitet e tjera.

Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se të ardhurat neto në zërin e udhëtimeve të Bilancit të Pagesave kishin vlerën e 1.84 miliardë eurove, në rritje me 72% krahasuar me vitin 2022.

Këto të dhëna konfirmojnë perceptimin për një vit rekord të turizmit hyrës në Shqipëri gjatë vitit 2023. Sipas INSTAT, vitin e kaluar Shqipërinë e vizituan rreth 10.2 milionë shtetas të huaj, në rritje me 35% krahasuar me një vit më parë.

Edhe të dhënat e para të këtij viti tregojnë se rritja e numrit të turistëve të huaj po vazhdon, duke dëshmuar se turizmi ka hyrë në një cikël rritjeje që me gjasa do të vazhdojë, të paktën në një horizont afatshkurtër.

Banka e Shqipërisë vlerëson se turistët e huaj shpenzuan gjithsej rreth 4.2 miliardë euro në Shqipëri gjatë vitit 2023. Shpenzimet e turistëve të huaj u rritën me 47% krahasuar me vitin 2022.

Megjithatë, edhe shpenzimet e shtetasve shqiptarë për udhëtime jashtë vendit u rritën gjithashtu me ritme të shpejta. Banka e Shqipërisë i vlerëson këto shpenzime në vlerën e 2.3 miliardë eurove, në rritje me 32% krahasuar me një vit më parë.

Të dhënat finale të Bilancit të Pagesave për vitin 2023 konfirmojnë rolin gjithnjë e më të madh të turizmit në ekonominë shqiptare.

Të ardhurat nga turizmi mbuluan më shumë se 40% të deficitit tregtar në mallra të ekonomisë shqiptare. Turizmi gjithashtu dha kontributin kryesor në përmirësimin historic të ekonomisë shqiptare, me deficitin më të ulët të llogarisë korrente të regjistruar ndonjëherë.

Rritja e pagave dhe forcimi i Lekut në kursin e këmbimit kanë ndikuar negativisht sektorët eksportues në mallra, sidomos ato sektorë që mbështeten kryesisht në forcën e lirë të punës. Në këto kushte, ekonomia shqiptare po profilizohet gjithnjë e më shumë në shërbime dhe veçanërisht në turizëm.

Megjithatë, statistikat e Bankës së Shqipërisë vazhdojnë të tregojnë një rritje të eksporteve në zërin e fasonerisë. Të ardhurat neto nga shërbimet për përpunim të inputeve fizike të zotëruara nga të tjerët arritën në 770 milionë euro, në rritje me pothuajse 19% krahasuar me një vit më parë.

Ndërkohë që shifrat e INSTAT vazhdojnë të tregojnë rënie të ndjeshme të vlerën bruto të rieksporteve (e shprehur në Lekë), sidomos për grupin “Tekstile dhe këpucë”, shifrat e Bankës së Shqipërisë japin një tablo të ndryshme dhe, sipas tyre, në fakt vlera e shtuar e shërbimit të përpunimit vazhdon të jetë në rritje, madje ka arritur nivelin më të lartë historik në vitin 2023.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor