Vendosni fjalën kyçe....

“Shpresat” pësojnë humbjen e radhës në kualifikueset “Euro 2025”


Kombëtarja U21 e Shqipërisë ka pësuar humbje ndaj Zvicrës U21, në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2025”.

Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Air Albania” ka përfunduar me rezultatin 1:3.

Franck Surdez (29’), Alvyn Sanches (60’) dhe Aaron Keller (76’) realizuan golat e fitores për “Helvetikët”.

Te Zvicra U21 titullar ishin Ardon Jashari dhe Valon Matoshi, të cilët luajtën tërë ndeshjen. Minuta pati edhe për Leon Avdullahun, i cili hyri si zëvendësues në minutën e 80-të.

Golin e vetëm për “Kuqezinjtë” e shënoi Stiven Shpendi (90+3’).

Për Kombëtaren e drejtuar nga Alban Bushi ishte kjo humbja e tretë nga shtatë ndeshje të zhvilluara në Grupin E, krahas tri fitoreve dhe një barazimi.

Shqipëria U21 renditet e katërta në grup me 10 pikë të grumbulluara.