Vendosni fjalën kyçe....

Shtëpia e Bardhë beson se Netanyahu po “provokon” qëllimisht SHBA-në


Shtëpia e Bardhë është “e hutuar” nga ajo që disa zyrtarë amerikanë e kanë quajtur një reagim të tepruar të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu ndaj vendimit të Uashingtonit për të mos vënë veton ndaj një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Gazën, sipas një raporti nga Axios.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi rezolutën të hënën, duke kërkuar një armëpushim të menjëhershëm midis Izraelit dhe Hamasit dhe lirimin e pakushtëzuar të pengjeve të mbetura izraelitë, ndërsa theksoi “nevojën e menjëhershme për të zgjeruar rrjedhën” e ndihmave në Gaza.

SHBA abstenoi nga votimi, duke bërë që zyra e Netanyahut të akuzonte Uashingtonin për tërheqje nga “pozicioni i tij i qëndrueshëm” që nga fillimi i luftës duke anuuar më pas një mision të nivelit të lartë në SHBA përpara një operacioni të planifikuar ushtarak izraelit në qytetin jugor të Gazës, Rafah.

“E gjithë kjo është vetëshkatërruese. Kryeministri mund të kishte zgjedhur një drejtim tjetër. Të rreshtohej me SHBA-në për kuptimin e kësaj rezolute. Ai zgjodhi të mos e bënte, me sa duket për qëllime politike,” citon gazeta të ketë thënë një zyrtar amerikan.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby e quajti anulimin e vizitës së delegacionit izraelit “zhgënjyese” dhe tha se Uashingtoni ishte “i hutuar nga kjo” sepse abstenimi i SHBA “nuk përfaqëson një ndryshim në politikën tonë”.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Mattheë Miller, argumentoi se SHBA-ja nuk përdori të drejtën e vetos, sepse thirrja për një armëpushim dhe për lirimin e pengjeve është në përputhje me politikën e Uashingtonit, duke vënë në dukje se rezoluta nuk është detyruese.

Netanyahu thuhet se përdori votën e OKB-së si një pretekst për të mos dërguar një delegacion në Uashington sepse ai “kishte frikë se mund të ofronim diçka të arsyeshme”, pohoi një tjetër zyrtar i paidentifikuar, sipas Axios.

“Ai do preferonte të luftonte me ne edhe nëse nuk është në interesin e Izraelit…Është gjithashtu një mënyrë qesharake për të trajtuar një partner që i ka dhënë Izraelit kaq shumë mbështetje.”

Izraeli i shpalli luftë Hamasit më 7 tetor, pasi militantët kryen një bastisje ndërkufitare, duke vrarë më shumë se 1200 njerëz dhe duke marrë të paktën 250 pengje. Më shumë se 32,000 palestinezë janë vrarë në bombardimet dhe operacionet tokësore të Izraelit në Gaza që nga ajo kohë, sipas autoriteteve shëndetësore të enklavës.

Izraeli po planifikon të nisë një sulm tokësor në Rafah, pavarësisht paralajmërimeve ndërkombëtare për një katastrofë të mundshme. Më shumë se gjysma e popullsisë së Gazës ka ikur për t’u strehuar në qytet për shkak të bombardimeve të vazhdueshme izraelite të pjesëve të tjera të enklavës.