Pas rritjes dyshifrore në vitin 2022, ritmet e shitjeve në volum në sektorin e ndërtimit janë frenuar disi në vitin 2023, sipas të dhënave që INSTAT ka grumbulluar te kompanitë e ndërtimit.
Zakonisht në 3-mujorin e fundit të çdo viti ka një rritje të shitjeve në banesa, për shkak të blerjeve që bëjnë kryesisht emigrantët në këtë periudhë (shiko grafikun bashkëngjitur).
Në 3-mujorin e fundit të 2023, volumi i shitjeve në ndërtim u rrit me vetëm 1% nga 16.1% që ishte rritja në tremujorin e fundit 2022.
Gjatë gjithë tremujorëve të 2023, ritmet e rritjes së shitjeve në volum ishin më të ulëta se më 2022.
P.sh. në tremujorin e dytë 2023, volumi i shitjeve u rrit me vetëm 0.2%, në tremujorin e dytë rritja ishte me 5.2% nga 11.5% në të njëjtën periudhë të vitit 2022.
Me gjithë frenimin e ritmeve të rritjes, volumet e ndërtimit dhe shitjeve po rriten në sektorin e ndërtimit, edhe pse treguesit demografikë dhe inflacioni i lartë nuk po e frenojnë këtë trend si në Europë.
Tregu i pasurive të paluajtshme në Europë është në një fazë stanacioni nga rënia e kërkesës, teksa lufta në Ukrainë ka krijuar një efekt psikologjik negativ për investime në pasuri të paluajtshme.
Pavarësisht ngadalësimit, ndërtuesit vendas mbeten optimistë. Pas një rënie me 8 pikë në janar 2024, treguesi i besimit në ndërtim që matet nga Banka e Shqipërisë u rrit me 6.8 pikë përqindje në muajin shkurt. Ky tregues qëndron rreth 25 pikë përqindje mbi mesataren afatgjatë.
Rritja këtë muaj u përcaktua kryesisht nga vlerësimet më të mira për aktivitetin aktual ndërtues. Paralelisht me të, pritjet për punësimin dhe ato për çmimet në të ardhmen janë në rritje. Nga ana tjetër indeksi i besimit konsumator u rrit në disvarfor të blerjeve të mëdha në dy muajt e parë të vitit 2024.
Sektori i ndërtimit pësoi një rritje të vrullshme pas vitit 2016, kryesisht në sektorin e banesave. Rritja e lejeve në rekorde historike dhe sipërfaqes në ndërtim në pesë vjeçarin e fundit erdhi në një kohë që popullsia po pakësohet dhe po plaket nga rënia e lindjeve dhe emigracioni lartë të rinjve. Në kontradite më këto zhvillime çmimi i banesave është rritur me shpejtësi.
Ndërtimi është kthyer në motorin e rritjes ekonomike vitet e fundit. Në vitin 2022, sektori kontribuoi me 11.1 pikë % të vlerës së shtuar nga 9.4 pikë % që kontribuoi në vitin 2019. Ky kontribut u rrit më tej në vitin 2023, referojnë të dhënat jo përfundimtare.
Aktualisht, Shqipëria është vendi më i varfër i Europës dhe ka ekspozimin më të lartë të sektorit të ndërtimit në kontinent. Sipas Eurostat, në vitin 2022, ndërtimi kontribuoi me 11.2% të vlerës së shtuar bruto, ndërsa në BE, ky sektor kontribuoi me 5.5%./B.Hoxha
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor