Një vrasje ka tronditur mbrëmë Prishtinën. Në rrugë ‘Jeronim De Rada’, ka pasur të shtëna me armë zjarri e për pasojë ka humbur jetën i riu, Egzon Haziri, 30 vjeç, ndërsa kanë mbetur të plagosur dy persona.
Si pasojë e të shtënave u plagos edhe personi që ishte me Hazirin, si edhe një grua kalimtare. Të dy u dërguan me urgjencë në spital për të marrë ndihmë mjekësore. Kalimtarja është në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa i plagosuri tjetër jashtë rrezikut për jetën.
Sipas gazetës Sinjali, të dyshuar si autorë të krimit janë vëllezërit Naim Berisha, 39-vjeç dhe Ahmet Berisha, 29-vjeç, të cilët ende nuk janë arrestuar nga policia.
Dy grupet mësohet se janë përfshirë në konflikt dhe janë përplasur me njëri-tjetrin e më pas sherri ka degraduar në përdorimin e armës.
“Rreth orës 21:15, është raportuar për gjuajtje me armë zjarri të ndodhur në rrugën “Jeronim De Rada” në Prishtinë.
Me të marrë informatën, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para është bërë e ditur se për pasojë dy persona kanë marrë plagë nga arma e zjarrit ku fatkeqësisht njëri nga ta ka ndërruar jetë.
Ndërkohë që e plagosura është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor, policia po vijon punën e saj me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore me qëllim identifikimin e të dyshuarve të implikuar në rast, si dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, tha zëdhënësi i policisë Agron Borovici.