Sot, Këshilli i Ministrave ka aprovuar ekzekutimin e vendimit të dhënë nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, për të kompensuar familjet e viktimave të tragjedisë së Gërdecit.
Me vendimin e datës 7 nëntor 2023, Gjykata urdhëroi që “shteti shqiptar duhet t’u paguajë kërkuesve: bashkërisht Zamira Durdaj dhe Feruzan Durdaj, 12 000 euro (dymbëdhjetë mijë euro), aplikantëve të mbetur, 10,000 (dhjetë mijë euro) secili, ku përfshihen 15 persona me një total prej 150 mijë euro; dhe bashkërisht për të gjithë aplikantët, 8,000 (tetë mijë euro) euro, në lidhje me kostot dhe shpenzimet.
Për dëmshpërblimin e tyre prej 12 mijë eurosh, janë bashkërisht kompensuar: Zamira Durdaj dhe Feruzan Durdaj.
Ndërsa për dëmshpërblimin e tyre prej 10 mijë eurosh janë kompensuar: Aishe Selami, Pashk Kaçi, Mirela Hazizaj, Miselda Zguri, Medi Gola, Rabie Gërdeci, Shaban Brahushi, Sabrie Picari, Dylbere Prini, Adelina Cani, Meltina Haka, Bege Aliu, Esmeralda Sefaj, Roxhens Durdaj dhe Alketa Hazizaj.
“Me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave vendosi ‘kzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 7.11.2023, për çështjen “Durdaj dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, për kërkesën nr.63543/09 (Durdaj), nr.46707/13 (Selami), nr.46714/13 (Durdaj dhe Hazizaj), nr.12720/14 (Zamira Durdaj dhe Feruzan Durdaj), përfundimtar në datën 7.2.2024, sipas shumave të përcaktuara në shtojcën 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2.Vlerat e përcaktuara si detyrim në shtojcën 1, bashkëlidhur këtij vendimi, të konvertohen në lekë, në bazë të kursit të këmbimit të bankës, ku depozitohet shuma, në datën e kryerjes së pagesës.
3.Vlerat e përcaktuara si detyrim në shtojcën 1, bashkëlidhur këtij vendimi, të depozitohen në një nga bankat e nivelit të dytë, në emër të kërkuesve, sipas shtojcës 1, bashkëlidhur këtij vendimi, në vlerën që shteti shqiptar detyrohet, sipas vendimit përfundimtar të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 7.11.2023, “Durdaj dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, kërkesa nr.63543/09, për secilën kërkesë.
4.Pagimi i shumave të depozituara, sipas përcaktimeve në pikën 3, të këtij vendimi, në favor të të gjithë kërkuesve nr.63543/09 (Durdaj), nr.46707/13 (Selami), nr.46714/13 (Durdaj dhe Hazizaj), nr.12720/14 (Zamira Durdaj dhe Feruzan Durdaj), të bëhet nga Ministria e Financave, pas paraqitjes së dokumentacionit të nevojshëm ligjor për kryerjen e pagesave nga buxheti i shtetit, brenda afatit 3-mujor nga dita kur vendimi i gjykatës është bërë përfundimtar.
5.Në rast mospagimi brenda afati 3-mujor, të përcaktuar në pikën 4, të këtij vendimi, për shumat e përcaktuara në shtojcën 1, bashkëlidhur këtij vendimi, të paguhen interesa të thjeshtë të barabartë me kursin margjinal të huas së Bankës Qendrore Evropiane, gjatë periudhës së mospagimit, plus 3%.
6.Efektet financiare të parashikuara për ekzekutimin e këtij vendimi përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për vitin 2024.
7.Ngarkohet Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.”-thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave.