Në fillim të këtij viti, një pikëpamje e zakonshme ishte se lufta në Ukrainë po kalonte në ngërç, pas dështimit të kundërofensivës ukrainase verën e kaluar.
Kjo tani duket shumë optimiste. Ekziston një mundësi alarmante që një sulm i madh ruse në muajt e ardhshëm mund të godasë mbrojtjen e Ukrainës dhe të hyjë thellë në vend.
Që nga rënia e Avdiivkas në shkurt, një qytet ku forcat ukrainase e ruse u përleshën ashpër në provincën Donetsk, forcat ruse shtuar presionin nëpër disa nyja në Ukrainën lindore.
Edhe pse Rusia pagoi një çmim të lartë me shumë ushtarë e pajisje të humbura për të marrë Avdiivkën – deri në 17,000 ushtarë mund të jenë vrarë dhe qindra tanke dhe automjete të tjera të blinduara luftarake janë shkatërruar – forcat e saj po shtyjnë më shumë në perëndim të qytetit në një përpjekje për të parandaluar Ukrainën që të krijojë linja më të forta mbrojtëse atje.
Deri tani, ata kanë përparuar vetëm shtatë deri në dhjetë kilometra në rastin më të mirë. Por një shtytje më e madhe pritet në verë.
“Pesë deri në gjashtë muajt e ardhshëm mund të jenë kritikë,” thotë Konrad Muzyka, një analist në ‘Rochan Consulting’ dhe autor i faqes së internetit “Ukraine Conflict Monitor”. Prioritetet për Ukrainën, sipas Michael Kofman i ‘Carnegie Endoëment for International Peace’, janë “fuqia ushtarake, ajo punëtore, fortifikimet dhe municionet”.
Ukraina ka bërë mrekulli në zmbrapsjen e flotës ruse të Detit të Zi dhe rihapjen e eksporteve të grurit nga Odessa. Dhe po kryen një fushatë ajrore kundër objektivave të infrastrukturës në Rusi, veçanërisht rafinerive të naftës, duke përdorur drone të prodhuar në shtëpi. Po e godet Rusinë aq fort sa SHBA-ja është shqetësuar për çmimin global të naftës. Por kjo mbetet kryesisht një luftë tokësore.
Ukraina po vuan nga mungesa e madhe e municioneve, prandaj u detyrua të tërhiqej nga Avdiivka. Me përdorimin e frytshëm të dronëve, ukrainasit kanë qenë në gjendje të kompensojnë pjesërisht predhat që i kanë me racion.
Por dronët nuk mund ta përqendrojnë zjarrin ashtu siç mundet artileria. Bllokimi i paketës së mbështetjes ushtarake prej 61 miliardë dollarësh të administratës Biden nga republikanët që janë pro-Donald Trump në Kongres që nga viti i kaluar, ka pasur pasoja të drejtpërdrejta në fushën e betejës. Po kështu ka pasur ndikim edhe dështimi i një plani të BE-së për të siguruar më shumë se gjysmën e miliona predhave që kishte premtuar të dorëzonte deri në këtë muaj.
Në gjithë frontin, Rusia po gjuan të paktën pesë predha për çdo predhë ukrainase. Edhe pse projektligji për mbështetjen e administratës Biden mbetet peng i politikës elektorale, Evropa po përballet me vonesë ndaj sfidës.
Me Rusinë që tani prodhon rreth 3 milionë predha artilerie në vit dhe merr rezerva shtesë nga Koreja e Veriut dhe Irani, Evropa pret të jetë në gjendje të prodhojë vetëm 1.4 milionë predha në vit deri në fund të vitit 2024, duke u rritur në 2 milionë në fund të vitit të ardhshëm.
Perspektiva më e mirë për zbutjen e gjendjes së vështirë të Ukrainës është një nismë për të cilën qeveria çeke ka punuar në heshtje që nga fillimi i luftës. Çekët kanë kërkuar në gjithë botën për furnizime municionesh dhe tani kanë marrë rreth 800,000 predha.
Disa vende, përfshirë Gjermaninë, Holandën, Danimarkën dhe Kanadanë, kanë grumbulluar para për të ndihmuar në pagesën e tyre. Nëse 3 miliardë euro do mund të mblidheshin së bashku, thonë çekët, ata mund të kapnin rreth 1.5 milionë predha.
Nico Lange, një ekspert i Ukrainës, i cili është një ish-zyrtar në Ministrinë gjermane të Mbrojtjes, thotë se disa prej predhave kanë filluar të mbërrijnë, megjithëse në sasi të vogla. Ata, shton ai, do u japin trupave në front “sadopak frymëmarrje” gjatë dy muajve të ardhshëm.
Llojet e tjera të municioneve janë gjithashtu në mungesë. Ukraina ka jashtëzakonisht shumë pak sisteme të mbrojtjes ajrore. Natën e 21-22 marsit, që pa sulmin më të madh në sistemin energjetik të Ukrainës që nga fillimi i luftës, nga 151 raketa dhe drone të lëshuar nga Rusia, vetëm 92 u kapën. Që atëherë, ka pasur sulme të tjera në infrastrukturën kritike në qytetin perëndimor të Lviv dhe në Kiev.
Ukraina gjithashtu ka nevojë urgjente për më shumë mënyra për të goditur objektivat në Krime dhe qendrat logjistike thellë pas linjave të armikut. Besohet se ajo ka përdorur një pjesë të madhe të raketave ‘Storm Shadoë’ dhe ‘Scalp’ që Britania dhe Franca dhuruan. Ata treguan përsëri vlerën e tyre më 24 mars, kur dy anije të tjera të mëdha ruse u goditën në portin e pushtuar të Sevastopolit.
Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, nuk është shprehur ende lidhur me furnizimin e raketave edhe më të fuqishme ‘Taurus’. Ukrainës po i mbarojnë edhe tanket dhe mjete të tjera luftarake, megjithëse ka disa shpresa se SHBA-ja mund t’i dërgojë asaj qindra automjete luftarake ‘Bradley’ pa pasur nevojë për më shumë para nga Kongresi.
Nëse Ukraina është e varur nga aleatët e saj për t’i siguruar asaj pjesën më të madhe të materialit që i nevojitet për të luftuar ajo duhet të mbajë përgjegjësinë se është e ngadaltë për të rekrutuar më shumë ushtarë.
Mosha mesatare e trupave të Ukrainës që shërbejnë në vijën e frontit është 43 vjeç. Edhe pse morali, sipas raporteve, mbetet përgjithësisht i lartë, shumë prej tyre janë të rraskapitur dhe kanë nevojë për rotacion.
Me premtimin e pagesave të larta që janë ëndërr për shumë familje në pjesë të varfra të vendit, Rusia ka më pak vështirësi në rekrutimin e ushtarëve me kontratë. Muzyka mendon se ka një fluks të vazhdueshëm prej rreth 30,000 ushtarësh të rinj në front çdo muaj, mjaftueshëm për të mbështetur të ardhmen e parashikueshme për luftimet ku humbin jetën shumë ushtarë si ata që u përdorën çdo ditë në betejën për Avdviikan.
Pas zgjedhjeve presidenciale, ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, njoftoi më 20 mars formimin e dy ushtrive të reja, të cilat do kërkojnë 300,000-400,000 ushtarë shtesë.
Pavarësisht ngurrimit politik, është e qartë se Ukraina duhet të mobilizohet në një shkallë shumë më të gjerë se sa lejohet nga ligji në fuqi, që nuk lejon rekrutim të askujt nën moshën 27 vjeç. Në dhjetor, komandanti i përgjithshëm i Ukrainës, Valery Zaluzhny, kërkoi për të rekrutuar edhe 400,000 ushtarë të tjerë, por, duke kërkuar më shumë hollësi, Zelensky kundërshtoi të nënshkruante një projektligj që do e kishte ulur moshën e regjistrimit në 25 vjeç.
Projektligji i mobilizimit që po kalon aktualisht në parlament i është nënshtruar shumë ndryshimeve, duke përfshirë kërkesat që ushtarët duhet të ndërrohen çdo gjashtë muaj dhe të lejohen të largohen nga ushtria pas tre vjetësh shërbimi.
Ai mund të miratohet në fillim të prillit. Rekrutët e rinj do duhet të përpunohen dhe stërviten, megjithatë, kjo mund të zgjasë disa muaj. Ndërkohë, komandanti i ri i përgjithshëm, Oleksandr Syrsky, po kryen një kontroll për të parë pse nga një ushtri prej 900,000 trupash, vetëm 300,000 ushtarë kanë parë në të vërtetë luftime.
As Zelensky nuk ka shumë justifikime për vonesat në ndërtimin e fortifikimeve mbrojtëse, veçanërisht pasi rusët treguan në verë se fortifikimet në këtë luftë kanë përparësinë me ushtarët që veprojnë nga linja të përgatitura mirë.
Vetëm në nëntor presidenti njoftoi fillimin e ndërtimit të madh të përforcimeve në linjat mbrojtëse duke punësuar si trupa inxhinierike ashtu edhe kontraktorë civilë.
Një sistem i integruar mbrojtës, duke përfshirë kanalet antitank, pengesat “dhëmbët e dragoit”, fushat e minuara, poligonët e qitjes dhe punimet tokësore për të siguruar mbrojtje për këmbësorinë, vetëm tani po merr formë ngadalë.
Të paktën tani për tani, thotë Muzyka, një ngërç duket si skenari më i mirë për Ukrainën.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e The Economist
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani