Vendosni fjalën kyçe....

Katër të vrarë gjatë një sulmi me thikë në SHBA


Katër persona, përfshirë një adoleshente, u vranë dhe të paktën pesë të tjerë u plagosën, pasi një burrë kreu një sulm me thikë në disa lokacione në shtetin amerikan të Illinoisit, tha policia.

Incidenti ndodhi të mërkurën mbrëma, tha policia në qytetin Rokford. Në deklaratën e policisë u tha se një i dyshuar 22-vjeçar është arrestuar.

Autoritetet amerikane nuk kanë bërë të ditur se cili mund të jetë motivi i këtij incidenti.

Rokford, qytet me afër 150.000 banorë, gjendet rreth 144 kilometra në veriperëndim të Çikagos.

Në mesin e të vrarëve ishin një vajzë 15 vjeçe, një grua 63-vjeçare dhe dy burra të moshës 49 dhe 22 vjeç, tha policia. Sipas autoriteteve, tre nga viktimat vdiqën në vendin e ngjarjes, ndërkaq një në spital.

“Sot jemi të tronditur nga një tjetër akt i dhunës së tmerrshme kundër pjesëtarëve të pafajshëm të komunitetit tonë”, tha kryetari i Rokfordit, Tom McNamara.

Policia tha se pesë persona të tjerë janë plagosur, por mediat amerikane më vonë, duke cituar policinë, thanë se shtatë persona ishin plagosur./REL