Votimi kundër raportit për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës nga përfaqësuesja e Malit të Zi në Komisionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit për politikën dhe demokracinë, shkaktoi reagime të ashpra tek opozita në Malin e Zi.
“Vota e kryetares së delegacionit malazez Maja Vukiçeviç, e cila është përfaqësuese e partisë pro-ruse dhe pro-serbe, kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës mund të mbrohet me tezën se veprimi i çdo deputeti është i pavarur, por nuk mund të mbrohet nga fakti se një votim i tillë do të dëmtojë para ndërkombëtarëve reputacionin dhe politikën e jashtme të Malit të Zi”, tha deputeti i Partisë Social demokrate në opozitë, Milosh Gjuriçkoviç.
Zoti Gjuriçkoviç tha se një qëndrim i tillë shkakton shqetësim sepse vjen nga deputetja Vukiçeviç, e cila përfaqëson partinë e shumicës parlamentare dhe sipas paralajmërimeve së shpejti do të jetë pjesë e qeverisë.
Deputeti i opozitës Gjuriçkoviç, vuri në dukje se votimi kundër i deputetes Vukiçeviç, si dhe veprimet e kryetarit të parlamentit, Andrija Mandiç, dërgojnë mesazhin se Mali i Zi nuk është partner i besueshëm dhe se politika e jashtme e Malit të Zi nuk është më në përputhje me politikën e jashtme të BE-së.
Edhe Partia Demokratike e Socialistëve e ish-presidentit Milo Gjikanoviç ka reaguar ndaj votimit kundër të deputetes malazeze në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Përfaqësuesi i kësaj partie Milosh Nikoliç tha në platformën X tha se Ministria e Jashtme duhet të sqarojë qëndrimin e saj.
“A i mbështet qeveria këto pikëpamje dhe a ka Mali i Zi një politikë të jashtme të bashkuar?”, thuhet në postimin e tij.
Kjo sipas zotit Nikoliç dëshmon se partitë pro-serbe dhe pro-ruse janë ideologë të qeverisë së re dhe se ky gjest do të dëmtojë marrëdhëniet në rajon.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e VOA